Natyra njohëse e njeriut
Natyra njohëse e njeriut
Në një hadith të tij Profeti, alejhi salatu ue selam thotë: “Çdo njeri lind në fitra dhe janë prindërit e tij ata që më pas e bëjnë atë jude, të krishterë apo mexhus. Kjo i ngjan kafshës kur sjell në jetë pjellën e saj të plotë, a shihni në të ndonjë cen?” Në gjuhën arabe fjala fitra quhet ajo gjendje fillestare në të cilën gjendet çdo krijesë me ardhjen e saj në jetë, pra, nëse e themi me fjalë pak më popullore, fitra do të thotë diçka taze e sapo dalë nga furra, apo diçka e freskët, apo diçka e pastër natyrale apo bio, siç i thonë sot. Pastaj më pas Profeti, alejhi salatu ue selam vazhdon edhe thotë se prindërit e tij janë ata që e deformojnë atë, pra e bëjnë atë të mos jetë më bio.
Duke qenë se Profeti përmend këtu fenë e çifutëve, të krishterëve dhe mexhusëve, atëherë kuptohet se këtu bëhet fjalë jo për natyrën fizike të trupit të njeriut, por për natyrën e tij të brendshme, për shpirtin e tij, për atë çka ai ndjen dhe beson. Ai e ka krahasuar këtë natyrë shpirtërore me të cilën çdo njeri lind me lindjen fizike të një kafshe, e cila kur lind, lind e plotë dhe pa cene, cene këto të cilat mund t’i marrë më pas. Kështu ndodh edhe me njeriun, përveçse për njeriun është më e rëndësishme ana e brendshme shpirtërore e tij, e cila mund të ndryshojë në varësi të ambientit që ai jeton, si p.sh. duke u bërë çifut, i krishterë apo ateist etj. Vërejmë se Profeti alejhi salatu ue selam nuk thotë se prindërit e bëjnë atë musliman! Pse? Arsyeja pse shpjegohet nga Allahu në Kuran, prandaj dhe Ebu Hurejra pasi tregoi këtë hadith të Profetit alejhi salatu ue selam thotë: “Nëse doni mund të lexoni fjalën e Allahut: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”
Kjo do të thotë se ka një fe apo një besim natyral fillestar me të cilin lind çdo njeri dhe se kjo fe është pikërisht feja e Zotit, dhe se urdhri i Allahut ndaj Profetit dhe ndaj të gjithë njerëzve nuk është gjë tjetër veçse një urdhër që na thotë t’i përmbahemi fesë hanife, të cilën Allahu e quan fitra, pra, natyra fillestare në të cilën Ai i ka krijuar njerëzit. Çdo të thotë fe hanife, e cila qenka edhe feja natyrale e çdo njeriu? Këtë gjë na shpjegon vetë Allahu në Kuran, por edhe Profeti në hadith. Allahu thotë në Kuran: “Ata thonë: “Bëhuni hebrenj ose të krishterë, që të jeni në rrugë të drejtë!” Thuaju: “Në asnjë mënyrë. Ne jemi të fesë së pastër (hanif) të Ibrahimit, i cili nuk ka qenë idhujtar”.
Në gjuhën arabe hanif do të thotë ai që anon nga e mira dhe i rri larg së keqes, anon nga monoteizmi dhe i rri larg idhujtarisë, pra Ibrahimi ishte në fenë hanife, pra në fenë natyrës fillestare njerëzore dhe siç na thotë Allahu ai nuk ishte idhujtar. Pra në këtë rast hanif dhe fe hanife do të thotë të mos jesh idhujtar, pra të jesh monoteist, t’i besosh dhe përkushtohesh vetëm një Zoti.
Në hadith një tjetër nga Profeti, alejhi salatu ue selam përcillet, se Allahu thotë: “Unë i kam krijuar të gjithë robërit e Mi hanifë, dhe atyre u kanë ardhur djajtë dhe i kanë devijuar nga feja e tyre dhe u kanë bërë atyre të ndaluar gjëra që Unë ua kam lejuar dhe i kanë urdhëruar njerëzit që të më bëjnë shirk Mua, ndërkohë që Unë për këtë gjë nuk kam zbritur asnjë fakt (asnjë provë).”
Nga hadithi i parë dhe ky që përmendëm, por edhe nga ajetet kuptojmë se Allahu i ka krijuar njerëzit sipas një natyre të caktuar që quhet fitra dhe kjo “natyrë fillestare e lindur” përmban në vetvete një fe apo një besim që quhet hanif, pra, natyra fillestare e njeriut është e mirë dhe besimi i tij është një besim i mirë dhe ky besim i mirë apo hanif do të thotë të jesh monoteist dhe të mos jesh politeist. Nga kjo kuptojmë se Allahu i ka krijuar njerëzit me besimin monoteist dhe Islami është i vetmi besim i pastër monoteist në botë, për këtë dhe Profeti, alejhi salatu ue selam nuk thotë për të porsalindurin, se atë e bëjnë prindërit musliman! Kjo sepse ai lind i tillë dhe më pas është ambienti shoqëror ai që e devijon atë gjatë jetës, nga fitra dhe feja hanife, pra, nga natyra fillestare dhe nga monoteizmi, drejt shirkut dhe gjërave të tjera të ndaluara nga Zoti. Në fund të ajetit që përmendëm pak më parë Allahu thotë: “S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”
Pra s'ka ndryshim në fitra-n e Allahut, e pra s’ka për rrjedhojë edhe ndryshim në fenë e Zotit. Çfarëdo që të bëjnë njerëzit dhe sado kohë që të kalojë çdo njeri kur lind do të lindi në këtë fitra, e kjo do të thotë të se Allahu na pohon një ligj të pandryshueshëm të jetës njerëzore, që kurrsesi nuk mund të jetë evolucion i llojit dhe i natyrës njerëzore, e pra nuk do të vijë kurrë një ditë kur do të lindin njerëz, të cilët nuk do të jenë hanifë dhe në fitra, që nuk do të besojnë në ekzistencën e Zotit, apo që në fillimet e tyre ata do të jenë idhujtarë!
Duke qenë se është kështu, atëherë pikërisht është kjo arsyeja pse para se t’u ligjërojmë njerëzve nëpërmjet arsyes; le t’u ligjërojmë atyre për fenë duke iu drejtuar së pari fitra-s së tyre, e më pas nëse thirrja e fitra-s ndesh në pengesën e errësirës që e ka veshur zemrën e tij koha, kalojmë në etapat e tjera të ftesës, siç na udhëzon i madhi Zot: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, i di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë.” (16: 125)
Shkruan: Justinian Topulli
''Dhe Fitneja, është më e rëndë se vrasja.'' (El-Bekare 191)
Bookmarks