DREJTËSIA ISLAME (...Allahu i do ata që e mbajnë drejtësinë... (60-8)
Shkruan: Ajni SINANI
Qytetërimi islam është fryt dhe prodhim pikërisht i Fesë Islame, sepse ky qytetërim është paraqitur bashkë me paraqitjen e Fesë Islame. Ngado, që ka arritur Feja Islame, ka arritur edhe ai qytetërim; çdo popull, që e pranoi Fenë Islam, në gjirin e tij u fut edhe ai qytetërim.
Në vazhdim, do të shohim kontributin e pamohueshëm të qytetërimit islam (që ngërthen pazbërthyeshmë risht edhe kulturën islame) dhe ndikimin e tij në qytetërimin perëndimor, si dhe perspektivat që u afron e ardhmja këtyre dy civilizimeve, në bazë të sistemit të besimit dhe të moralit mbi të cilat ngrihen këto dy qytetërime.

Por këtu, duhet të përmendim se, shpirti prometian dhe titanesk, që tregohet aq qartë, në pjesën më të madhe të artit të renesancës, qëndron diametralisht kundër shpirtit të Islamit, që mbështetet në përulje ndaj Zotit. Vërtet, shkenca dhe kultura islame, qenë faktorë për ngritjen e Renesancës në Perëndim, por elementet u shkëputën nga kuptimi dhe rëndësia e tyre e plotë.

Qytetërimi hindus, kinez dhe japonez janë të ngushtuara në rajone të caktuara gjeografike dhe, në panoramën aktuale, zënë vend si sisteme të besimit dhe mënyra jetese, pa pretendime universale. Në panoramën aktuale, në sy, na bien dy qytetërime, që shënojnë ngritje: qytetërimi islam dhe ai perëndimor.

Nëse lexon libra, që përshkruajnë historinë e kombeve, lexuesi do të hasë, në historinë e kombeve perëndimorë, përshkrime në detaje e me ngjyra të gjalla, ndërkohë, që gjen vetëm një kundrim sipërfaqësor, për pjesët e tjera të botës, duke iu nënshtruar kështu iluzionit, se: "e tërë bota është krijuar vetëm për perëndimin dhe civilizimin e tij, ndërsa civilizimet e tjera kanë qenë të përcaktuara vetëm për të formuar një kornizë të përshtatshme, për tërë atë famë perëndimore dhe si pasojë, në shpirtin e popujve joevropianë, krijohet ndjenja e inferioritetit ndaj kulturës dhe mundësive të tyre personale."

Evropianët kanë pohuar deri vonë se, qytetërimi i sotëm, ka lindur drejtpërdrejt nga qytetërimi i vjetër grek. Qytetërimi grek është më i vonshmi i qytetërimeve të lashta, si: kaldease, asirase, midiase, indase, egjiptase etj. Qytetërimi perëndimor, në mendjen e individëve të qytetërimeve të tjera, mbjell tezën se ai është qytetërimi i vetëm që e rrethon dhe përfshin edhe të kaluarën edhe të ardhmen. Kjo paradigmë, e përhapur me përmasa botërore edhe në librat shkollorë, bëri që qytetërimi perëndimor të admirohet si një e vërtetë absolute.

Historiani i njohur, Jacques Le Goff, midis të tjerash shkruan: "Bota, në çdo epokë, ka vetëm një zemër në harmoni me të cilën, jeton pjesa tjetër e universit. E ngritur mbi ekzogjezën orosiane të ëndrrës së Danielit, vazhdimësia e perandorive, nga babilonasit te medeasit dhe te persët, pastaj te maqedonasit dhe pas tyre te grekët dhe romakët, përbën parimin, që udhëheq filozofinë mesjetare të historisë. Ajo, vepron në nivel të dyfishtë: në atë të forcës dhe në atë të qytetërimit. Mbartja e pushtetit, translatio imperii, është mbi të gjitha një mbartje e diturisë dhe e kulturës, translatio studii...Ajo thekson ngujimin e qytetërimit të krishterë, duke hedhur tej qytetërimet bashkëkohore, bizantine, muslimane, aziatike."

Koncepti i historisë, që ka filluar me historinë greke dhe atë ariane, të cilat qytetërimi perëndimor i konsideron si rrënjë të veta, që ka vazhduar me Romën dhe feudalizmin dhe që ka arritur në epokën moderne përmes Renesancës dhe Reformacionit, bëri që të gjithë librat e mendimit filozofik, ekonomik dhe politik, të shkruhen duke marrë për busull konceptin perëndimor. Në këtë mënyrë, individët e pellgjeve të qytetërimeve kineze, indiane dhe islame, vendosen brenda kornizave të konceptit perëndimor, me përkushtëzimin se qytetërimet e tyre, nuk i kanë dhënë kurrfarë kontributi historisë së njerëzimit.

Orientalistja e njohur gjermane, Zigrid Honke, në librin e saj të njohur: `Dielli arab lind mbi Perëndim` me një objektivitet të thellë, tregon kontributin e jashtëzakonshë m të qytetërimit islam. Kjo gjermane, pranon gjithashtu fshehjen e faktit, rreth rëndësisë dhe mundit civilizues të arabëve, nga ana e shkencëtarëve evropianë, duke thënë:

"Edhe përkundër rëndësisë dhe kontributit të arabëve, kush lexon njëqind libra historikë, në nëntëdhjetë e tetë prej tyre, nuk gjen të jetë përmendur ndonjë emër arab." Ajo gjithashtu shkruan: "Pika e shikimit të shekujve të Mesjetës ende nuk ka vdekur; edhe sot e kësaj dite, ekziston një grup njerëzish, me horizonte të kufizuara, larg nga toleranca fetare, i cili ndërton penda dhe pengesa përballë dritës".

Është e papranueshme, që të pajtohemi me faktin se, në periudhën 10 shekullore, në mes qytetërimit grek, që është më i vonshmi i atyre qytetërimeve të lashta dhe qytetërimit të sotëm evropian, rruzulli tokësor ka mbetur i zhveshur dhe pa qytetërim. Përkundrazi, kjo periudhë, ka qenë e stolisur me qytetërimin më të plotë dhe më të përsosur, që është QYTETËRIMI ISLAM.

Qytetërimi islam është fryt dhe prodhim pikërisht i Fesë Islame, sepse ky qytetërim është paraqitur bashkë me paraqitjen e Fesë Islame. Ngado, që ka arritur Feja Islame, ka arritur edhe ai qytetërim; çdo popull, që e pranoi Fenë Islam, në gjirin e tij u fut edhe ai qytetërim.

Islami ishte dhe mbeti një fuqi kozmike, që arriti ta nxjerrë botën nga errësira në dritë, sistem shoqëror, që rregulloi të gjitha aspektet e jetës së njeriut dhe, fuqinë e tij krijuese, e orientoi kah të mirat dhe mirëqenia. Ai ishte dhe mbeti një forcë aktive, që vepron edhe sot, në realitetin e kësaj bote. Me shfaqjen e Islamit, filluan të vendosen themelet e një civilizimi të ri. Drita islame, filloi të ndriçonte viset e ndryshme të botës. Filloi një jetë e re.

John W. Draper thotë: 'Islami, gjatë gjithë kohës, pasoi shkencën fizike. Ndërkaq, Krishterizmi pagan, jo vetëm që e hodhi poshtë këtë shkencë, por shprehu përbuzje të thellë dhe urrejtje ndaj saj. Mjekët shiheshin, nga Kisha, me sy jo të mirë dhe njerëzit i konsideronin të pafe.'

Sipas Garodit 'muslimanët e parë, duke iu falënderuar asaj fryme të hapët, në të cilën thërret Kur'ani në çdo faqe të tij, janë përpjekur të përkthejnë, të përshtatin dhe të integrojnë kontributet më të vlefshme të Indisë, Bizantit, Greqisë, Iranit, prej matematikës, gjer në medicinë. Ndërkaq, kanë ditur, që thesarin shkencor, me themel, ta mendojnë që t'i japin kuptim të ri, në perspektivë të fesë islame, dhe kështu muslimanët u bënë, jo vetëm bartës të diturisë së vjetër të gjithëmbarshme, por krijues të një kulture, e cila gjatë shumë shekujve u bë pishtar i tërë botës.'

Muhamed Ikball thotë: 'Pika e parë e rëndësishme, që duhet pasur parasysh, në aspekt të frymës së kulturës islame është, që ai ka fiksuar, në aspekt të njohjes, shikimin e vet në konkreten, përfundimtaren. Është e qartë, pos kësaj, se prejardhja e metodës së eksperimentimit dhe kundrimit, në Islam, nuk është borxh ndaj kompromisit me mendimin grek, por me luftimin e gjatë intelektual me të.'

Autori i veprës 'Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar', historiani i njohur, Jacques Le Goff, jo për shkak të simpatisë, por për shkak të objektivitetit, veç të tjerash shkruan: 'Në kulmin e kryqëzatave, shkenca arabe derdhet mbi Krishterizmin dhe, nëse ajo nuk e shqetësoi, të paktën e ushqeu atë, që ne e quajmë Rilindja e shekullit XII. Ajo çka, arabët u dhanë dijetarëve të krishterë, me thënë të vërtetën, është para se gjithash shkenca greke, e grumbulluar në bibliotekat orientale dhe e vënë në qarkullim nga dijetarët muslimanë, të cilët e përhapën deri në skaj të Islamit perëndimor, në Spanjë (Andaluzi).'

John Davenport, dijetar i shquar, thotë: 'Duhet të pranojmë se e tërë dija në fushën e fizikës, astronomisë, filozofisë, matematikës, që u përhap në Evropë, duke filluar nga shek. X-të, buron nga shkollat arabe. Madje, saraçenët (muslimanët) e Spanjës, mund të konsiderohen si etër të filozofisë evropiane.'

Bertrand Rasel, filozof i famshëm anglez, thotë: 'Fraza, shekujt e errët të Mesjetës, ndërmjet shek. 7-10, ka të bëjë vetëm me Evropën. Në atë kohë, prej Indisë deri në Spanjë, shkëlqente qytetërimi Islam. Prandaj, është pasaktësi të flitet, vetëm mbi qytetërimin e Evropës.'

Sami Frashëri, thotë: 'Evropianët, pasi nuk kishin fare njohuri mbi qytetërimin e lashtë grek, vazhdonin të mësonin në shkollat e porsahapura të Andaluzisë. Bile aty, ata mësuan edhe emrat e dijetarëve të vjetër grekë, si dhe shumë vepra të tyre të humbura, i morën nga përkthimet që gjendeshin në gjuhën arabe.'

Muhamed Asad, shprehet: 'Para syve të verbuar, të dijetarëve e mendimtarëve evropianë, u paraqit një civilizim tjetër- i rafinuar, progresiv, përplot jetë, pasionant dhe me posedim të pasurive kulturore, që Evropa i kishte harruar prej kohësh. Ajo, që bënë arabët ishte më tepër se ringjallje e diturisë së lashtë greke. Ata, kanë krijuar botë plotësisht të re shkencore të tyre vetjake dhe hapën, deri atëherë, rrugë të panjohura të hulumtimit dhe të filozofisë.'

Klarku, profesori i historisë së artit, është i detyruar të pohojë, se: 'Teposhtëza e qytetërimit mund të ketë zgjatur shumë kohë, por në mes të shekullit të shtatë u shfaqë një force e re, që kishte besim, energji dhe vullnet për të ngadhënjyer si edhe një kulturë alternative - Islami. Fuqia e Islamit, fshihej në thjeshtësinë e tij. Kisha e hershme e krishterë, e pat shkapërdarë fuqinë e vet, në zënkat dhe grindjet teologjike, që vazhduan për tre shekuj me një duf dhe me sajesa të pabesueshme. Por, Muhammedi (a.s.), profeti i Islamit, predikonte një doktrine më të thjeshtë, që u pranua menjëherë dhe u dha pasuesve të saj, atë ndjenjë solidariteti të pathyeshëm, që u pat prirë dikur legjioneve romake. Brenda një kohe çuditërisht të shkurtër - rreth pesëdhjetë vjet – bota klasike, u nënshtrua. Vetëm eshtrat e saj të zbardhura, zbuloheshin në sfondin e qiellit mesdhetar.'

Këtë e thekson edhe Joshua S. Goldstein, kur thotë: 'Kur Evropa ndodhej në "periudhën e errësirës", qytetërimi arab (islam A.S.), ishte në periudhën e tij të artë. Ai, thekson se "Perandoria e madhe arabe e periudhës së viteve 600-1200 luajti një rol të veçantë. I gjithë rajoni i Lindjes së Mesme, ka qenë i bashkuar nën këtë perandori, që lindi dhe u përhap së bashku me fenë islame.'

MUrad Hofmman thotë: 'Muslimanët, arritën rezultate epokale, në të gjitha fushat e artit dhe shkencës, duke inkuadruar matematikën, optikën, botanikën, kirurgjinë, oftalmologjinë , higjienën, leksikografinë , historinë, sociologjinë. Në këto dhe në lëmenj të tjerë, civilizimi islam, hijesoi civilizimin perëndimor, prej shekullit të nëntë deri në shekullin katërmbëdhjetë. Në këtë kohë, kemi personalitetet më të shquara të kohës, sikurse janë: Razi (Rhases), Biruni, Ibën Rushdi (Averroes), Ibn Sina (Avicena), Ibën Halduni, Ibën Batura, Havarizmi etj.'

Në të vërtetë, trashëgimia greke e përzier me trashëgiminë arabo-islame, është ajo e cila arriti në Evropë, dhe e ndihmoi atë të dilte prej injorancës të saj të errët të Mesjetës, në atë që njihet me kohën e Renesancës.

Ekzistojnë me dhjetëra e dhjetëra libra të studiuesve të ndryshëm islamë, që venë në pah me argumente dhe fakte të pamohueshme, ndikimin e civilizimit islam, rrezet e para të të cilit filluan, prej gadishullit Arabik dhe që, pas pak kohësh "u shndërruan në diej, që shndritën hapësira të gjera, nga pjesa lindore e rruzullit tokësor, e deri në pjesën perëndimore, duke përfshirë popuj të civilizimeve të ndryshme, civilizim ky, minaret e të cilit u ngritën mbi shkencë, filozofi, letërsi, art..."