Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Pyetje: Es-selamu alejkum! Hoxh i nderuar jam i martuar që 2 vite po natën e parë të martesës gruaja që dua nuk ishte virgjine.
Ja fala gabimin asaj nga dashuria për të dhe e bëra këtë të mirë për hir të ALLAHUT.
Tani ka lindur konflikti mes nesh, sepse dua ta di kush ishte ai.... e kurse gruaja betohen në Zot dhe thotë se nuk e di e jotja kam qenë deri në ato momente. Nuk po e di ç’po ndodh me mua.
E dua shumë, nuk dua t’ia prishi jetën dhe familjen, por ju kisha lut juve, si hoxhallarë, të më këshilloni.
Vajza është e një familje të ndershme islame dhe fetare, po nuk e di se ç’ndodhi me ne. Shpresoj të kem qenë i qartë. Ju faleminderit! ALL-LLAHU ju shpërbleftë!

Përgjigje: Ue alejkumus-selam! Falënderimet i takojnë Allahut, mëshira dhe paqja e Tij janë për Profetin Muhamed (alejhi salatu ue selam) dhe të gjithë pasuesit e tij.

Vëlla musliman! Duhet të dish se cipa e virgjërisë nuk prishet vetëm nga marrëdhëniet seksuale, por mund të çahet nga kërcimi, goditja ose gjëra të tjera.

Gjithashtu duhet të dish se ndodhë që një përqindje e madhe femrash nuk njihet virgjëria e tyre me çarjen e cipës së virgjërisë; pra, gjatë kontaktit të parë seksual asaj mund të mos i rrjedhë asnjë pikë gjaku dhe një gjendje e tillë në disa raste mund të arrijë deri në dhjetë për qind të femrave, mirëpo ka shenja të tjera që njihet se ajo është e virgjër.

Në anën tjetër, nëse bashkëshortja jote ka pohuar se ka prishur virgjërinë, ndërkohë ti e ke falur për hir të Allahut që në natën e parë të martesës, atëherë për hir të kujt kërkon ta prishësh këtë lidhje sot?!

Pse po u përgjigjesh ngacmimeve të shejtanit pas dy vjet martesë, ndërkohë jeta me të të shkon mirë.

Pse kërkon për të zbuluar diçka që nuk të bën asnjë dobi?!

Nëse ajo të ka thënë që virgjërinë e kam prishur me kontakt seksual, duhet të dish se nuk është ndonjë gjë e pa mundur që virgjëria e saj të jetë prishur në mënyrë të pavetëdijshme, pra pa kontakt seksual.

Të këshilloj që të mos imponosh gruan tënde për diçka që ajo nuk di ç’të thotë veç atyre që të ka thënë.

Mos u bëj njeri me vesvese, nëse ke menduar të kalosh jetë të lumtur me gruan tënde, aq më tepër kur ti shprehesh se e do atë.

Mbaje gruan dhe leri ngacmimet e shejtanit i cili nuk kënaqet vetëm se kur të shohë ty të ndarë me gruan tënde. Allahu e di më së miri.

Azem Bardhoshi