Pyetje: Eselamu alejkum staf i nderuar! Unë i kam disa pyetje të shkurtra për të cilat mendoj se do gjeni hapësirë të më përgjigjeni.

Pyetjet jan si vijon:

1. Unë kam lexuar Kuranin në gjuhën shqipe deri tek gjysma përafërsisht, por për fat të keq që inshallah Zoti do ma fal ka një kohë të gjatë që nuk e kam lexuar. E di saktë se në cilën sure gjendem po për shkaka kohës së gjatë që e kam lënë pas dore, desha të di nëse duhet të vazhdoj me leximin aty ku ka mbetur ose të filloj prej së pari.

2. Nëse ka mundësi të më tregoni ndonjë mënyrë më të mirë me të cilën do mundem të mësohem të lexoj arabisht inshallah, me qëllim që të lexoj Kuranin arabisht.

3. Si qëndron puna e dëgjimit të Kuranit në internet (tek faqja juaj); d.m.th.: çfarë sevapesh fitohen me dëgjimin dhe a duhet t’i kushtoj një rendësi të veçantë dëgjimit, përderisa nuk mësohem të lexoj arabisht?

Inshallah më kuptuat, më falni për kohën që u mora dhe Zoti ju shpërbleftë për punën që po e bëni. Hajr inshallah!

Përgjigje: Ue alejkum selam ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit . Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të Dërguarin e fundit Muhamedin dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin dhe e pasojnë rrugën e Tij.

1. Unë do të këshilloja të vazhdoje aty ku e ke lënë, në mënyrë që ta kaloje një herë leximin e Kuranit, sepse çdo herë që ndërpritesh nëse fillon prapë nga fillimi nuk i del ndonjëherë në fund, edhe pse një programim i vogël do të të ndihmonte se Profeti alejhi selam thotë: “Puna më e dashur tek Allahu është puna e vazhdueshme, edhe nëse është e pakët.”

2. Duhet që çdo musliman të mësojë leximin e kuranit në gjuhën që ka zbritur, pasi të gjithë hadithet që flasin për shpërblimin e leximit të Kuranit janë për personin i cili e lexon në arabisht, pasi çdo përkthim i Kuranit është komentim i fjalëve të Allahut.

Kurse për sa i përket metodës së mësimit të leximit do të sugjeroja disa gjëra:

Të dish shpërblimin e madh që ka leximi i Kuranit dhe nuk e arrin këtë shpërblim pa mësuar leximin e arabishtes.

T’i bësh lutje Allahut që të të ndihmojë se pa ndihmën e Tij nuk plotësohet asgjë.

Të gjesh një mësues i cili do të të mësojë shkronjat dhe leximin. Ky mësues e rëndësishme është të dijë të lexojë mirë dhe mos i shiko moshën apo pozitën.

Vendos një afat kohor dhe program ditor, sepse po e le pa program nuk ke për të mësuar, por gjithmonë do të mbetesh në ndërprerje dhe nuk ke për të arritur në objektiv.

Si libër do të këshilloja “Kauaid bagdadije”, por duhet të mësosh përpara tij shkronjat dhe mënyrën e shkrimit në fillim, mes dhe në fund, e nëse nuk e gjen këtë libër mund të të ndihmojmë.

Dije se kjo lodhje nuk e kalon muajin dhe pastaj ti i ke hapur vetes një derë të re ku do të vijnë shpërblime të shumta dhe ke për të ndjerë lumturi e kënaqësi.

3. Dëgjimi i Kuranit është një prej punëve të mira ku muslimani duhet të garojë në të. Unë nuk di ndonjë shpërblim të veçantë, por edhe Profeti alejhi selam ka pasur dëshirë ta dëgjojë Kuranin nga dikush tjetër, ndaj duhet vënë rëndësi gjithmonë edhe pasi të mësosh leximin e Kuranit, pasi të ndihmon shumë në përmirësimin e leximit.

Lus Allahun që të ndihmoj ty dhe gjithë myslimanët e sidomos leximin e Kuranit, sepse ai që e do Allahun duhet të dojë edhe fjalët e Tij.

Jasin Aliaj