Dispozitat e hajzit (menstruacioneve) dhe të nifasit (lehonisë)

Gjaku i cili rrjedh nga organi i femrës është tre llojesh:
1.Gjaku i menstruacioneve
2.Gjaku pas lindjes (nifasi)
3.Gjaku i cili nuk është as hajd e as nifas dhe quhet istihada.

Menstruacionet

Hajz (hajd) në aspektin gjuhësor do të thotë të rrjedhurit ose kulluarit e diçkaje.
Kurse në aspektin terminologjik menstruacionet ose hajzi është një gjak i cili rrjedh nga mitra e femrës çdo muaj kur ato arrijnë moshën e pjekurisë.
Kjo gjakderdhje është e natyrshme dhe nuk është për shkak të ndonjë sëmundjeje ose çrregullimi dhe vazhdon për ditë të caktuara. Gjaku i menstruacioneve është ndyrësirë me konsensus të dijetarëve dhe nuk ka dallim a është pak apo shumë.

Mosha në të cilën paraqiten menstruacionet dhe kur ndërpriten

Shumë nga ulematë kushtëzojnë që femra, nëse sheh gjakderdhje, duhet të mbushë nëntë vite, sipas kalendarit hënor, që të llogariten si menstruacione. E sakta është që kur femra sheh gjakun i cili plotëson kriteret e të qenët gjak i menstruacioneve, atëherë ajo llogaritet se është në të përmuajshmet, pa marrë parasysh a i ka plotësuar nëntë vite apo jo.
Por është shumë e rrallë që femra të shohë gjak para se të ketë mbushur nëntë vjeçe.
Megjithëkëtë, përcaktimi i periudhës së fillimit me vite nuk do ishte e drejtë, pasi femrat dallojnë; ka mundësi te disa të fillojë pak më herët dhe te disa edhe të vonohen.
Ekzistojnë raste kur kjo vonesë shkon derisa vajza të mbushë pesëmbëdhjetë vjeçe.
Edhe faza se kur ndërpriten menstruacionet te femra e moshuar nuk është e saktë të përcaktohet me vite, ashtu si kanë thënë disa për moshën pesëdhjetëvjeçare, pasi edhe në këtë ka dallime mes femrave. Prandaj, do të ishte e drejtë që edhe në këtë të kihet parasysh se si ndodh ndërprerja e tyre te secila. Por mund të themi se mesatarisht ndërprerja e të përmuajshmeve fillon rreth moshës 45-50 vjeçare1.

Zgjatja e periudhës së menstruacioneve

Edhe në përcaktimin e periudhës më të shkurtër të menstruacioneve ka mospajtim mes fukahave.
Disa kanë thënë se koha më e shkurtër është tri ditë, kurse disa të tjerë kanë thënë se është një ditë dhe një natë, gjegjësisht 24 orë.
Por e sakta është që edhe këtu të mos përcaktohet koha, pasi ka femra që nuk kanë fare menstruacione ose kjo mund të zgjasë shumë shkurt, ndoshta edhe më shkurt se 24 orë.
Gjithashtu edhe sa i përket periudhës më të gjatë ka mospajtim; disa kanë thënë dhjetë ditë, disa të tjerë pesëmbëdhjetë, por e sakta është të mos definohet kjo, por të shikohet se sa është zgjatja te secila femër veçmas.
Ka femra që e kanë periudhën e menstruacioneve më të gjatë se dhjetë ditë, respektivisht më shumë se gjashtëmbëdhjetë ose shtatëmbëdhjetë ditë dhe nëse kjo ndodh, atëherë me çfarë të drejte mund të themi se gjaku që rrjedh pas periudhës së përcaktuar (dhjetë ose pesëmbëdhjetë ditë) për disa kohë nuk duhet të llogaritet menstruacion?
Prandaj, esencë duhet të jetë ajo që është e rëndomtë në çdo muaj te femra; nëse ajo ka gjakderdhje shtatë ditë në muaj, atëherë kjo është periudha e saj. Nëse ka gjakderdhje gjatë muajit më shumë se dhjetë ditë, atëherë kjo është periudha e saj2.
Muhamedi salallahu alejhi ue selem kur thotë: “Nëse të vjen hajzi, atëherë lëre namazin dhe kur ajo të kalojë, atëherë pastrohu dhe falu3”, nuk e ka ndërlidhur periudhën me ditë të përcaktuar, por me gjakderdhje, prandaj më e qëlluar është të mbetet kështu. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

1 “Fikhul Ibadat”, vëll.1, f. 121-122; “Sherhu Mumti”, vëll.1, f. 466-468.
2 “ِِFikhul Ibِadat”, vëll.1, f.121-122; “Sherhu Mumti”, vëll.1, f. 466-468.
3 Shënِon Buhariu dhe Muslimi.