Forumi Islam
Kur’an dhe Sunnet | MultiMedia | Galeria Islame | Email K&S | Libri i Vizitorëve
Kthehu   Forumi Islam > Tema Islame > Fikh

Fikh Forum për diskutim rreth Fikhut


Përgjigju
LinkBack Vegla të Temave Ndrysho Paraqitjen
  #1 (permalink)  
Palexuar 01-02-2010, 11:09
Grafika e Abdurrezak
Anëtarë i Avancuar
 
Data e Anëtarësimit: 08-08-2008
Postimet: 1,124
All-llahu të shpërbleftë: 2,222
Falënderuar 1,612 herë në 727 Postime
Rep Fuqia: 575
Abdurrezak has a reputation beyond reputeAbdurrezak has a reputation beyond reputeAbdurrezak has a reputation beyond reputeAbdurrezak has a reputation beyond reputeAbdurrezak has a reputation beyond reputeAbdurrezak has a reputation beyond reputeAbdurrezak has a reputation beyond reputeAbdurrezak has a reputation beyond reputeAbdurrezak has a reputation beyond reputeAbdurrezak has a reputation beyond reputeAbdurrezak has a reputation beyond repute
Përcjellja për në Ahiret

Përcjellja për në Ahiret




Përgatitja dhe përcjellja e të vdekurit nuk është detyrim i hoxhës, siç është përhapur te masa e rëndomtë, madje edhe te shumë hoxhallarë, të cilët për çudi shpeshherë ndjehen të privilegjuar me këtë. S’do mend që përgatitja dhe përcjellja e xhenazes ka rregulla të caktuara dhe është normale që njerëzit të mos i njohin ato dhe të kenë nevojë për sqarimet e hoxhallarëve, por kjo punë të konsiderohet si një ndër punët kryesore të hoxhës, me të vërtetë është nënçmim i tepruar.

Së këndejmi, dëshiroj që në këtë tekst të sjell rregullat kryesore që kanë të bëjnë me përgatitjen dhe përcjelljen e njerëzve tanë të dashur për në ahiret, duke mos u stërzgjatur në imtësi pasi këtë nuk na e mundëson natyra e revistës, kurse nuk është qëllimi im t’i ndaloj hoxhallarët të marrin pjesë nëpër varrime, sepse siç do ta përmend më poshtë, pjesëmarrja në varrime ka shpërblime të mëdha.

Duhet ta dimë se muslimani e ka borxh ta vizitojë vëllanë e sëmurë musliman dhe të fusë gëzimin në zemrën e tij, duke shprehur përgëzime dhe fjalë të ëmbla. Nëse është në gjendje të rëndë, duhet t’i përkujtojë pendimin, larjen e borxheve etj. Të gjitha këto duhen bërë me butësi dhe jo të shkaktojë që ai të ndjejë se i është afruar vdekja. Po ashtu edhe të kërkojë hallallin nga zullumet e bëra ndaj dikujt, të kërkojë falje për mëkatet dhe vazhdimisht të ketë mendim të mirë për Allahun. E kur t'i afrohet vdekja, ai që është afër tij e ka sunet t'ia thotë tallkinin – d.m.th. t'ia përkujtojë shehadetin, por me butësi dhe urtësi.

Pasi të vdesë, ia mbyllim sytë, ia drejtojmë dhe shtrijmë trupin – sidomos te nyjat dhe shpejtojmë ta përgatisim për varrim. I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Shpejtoni me xhenazen, nëse është e mirë, ju do ta shpejtoni drejt të mirës, e nëse është e keqe, atëherë jeni duke u liruar nga një e keqe". (Buhariu dhe Muslimi) Shpejtimi përjashtohet në rast se vdekja ndodh befasisht, pra, nga frika që të mos jetë vetëm alivanosje apo komë. Apo nëse ka ndonjë shkak për vonim – lejohet vonimi, sikurse tubimi i sa më shumë njerëzve për namaz, ardhja e të afërmve të tij – por normalisht nëse nuk teprohet vonimi derisa të fillojë prishja e trupit.

Përgatitjen e fillojmë duke i lajmëruar familjen, komshinjtë, dashamirët dhe miqtë e të vdekurit, me qëllim që të marrin pjesë në faljen e namazit të xhenazes sa më shumë, sepse kjo është për të mirën e të vdekurit. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Ai besimtar që vdes dhe ia falin xhenazen një grup muslimanësh, të cilët arrijnë tre safe, atij i falen gjynahet". Kurse lajmërimi nëpër gazeta i bashkëngjitur me fjalë vaji dhe mërzie është lajmërim i ndaluar dhe i ngjan asaj që bënin njerëzit në periudhën e injorancës, kur dilnin nëpër tregje dhe lajmëronin vdekjen e dikujt duke thurur për të vargje prekëse.

Larja e xhenazes

Larja e xhenazes është farz. Për këtë dhe për formën e larjes mësojmë nga hadithi i shënuar te Buhariu dhe Muslimi: Umu Atije el Ensarije na përcjell: Kur vdiq Zejnebja, bija e të Dërguarit sal-lallahu alejhi ue selem, ai hyri dhe na tha: “Lajeni tri herë, ose pesë herë apo edhe më shumë nëse e shihni të udhës, me ujë dhe sidër. Në herën e fundit të larjes bëjeni edhe me kamfur apo me pak kamfur. Kur të mbaroni (me larjen) më tregoni”. Kur përfunduam i treguam dhe ai na e dha izarin (veshje e poshtme) e tij dhe tha: “Në fillim, mbështilleni me këtë izar”. Në një transmetim tjetër: "ose shtatë herë", ku tha po ashtu: "filloni nga ana e djathtë dhe nga pjesët e abdesit". Umu Atije po ashtu tha: Flokët ia lidhëm në tre gërsheta. Është detyrim që gruan ta lajnë vetëm gratë, po ashtu burrin ta lajnë vetëm burrat dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Mirëpo ka përjashtime:

- bashkëshortët, lejohet që ta lajë burri gruan e tij dhe anasjelltas. Argument është hadithi i Aishes: "se i Dërguari sal-lallahu alejhi ue selem, i kishte thënë asaj: Po të vdisje para meje, unë do të laja ty". Dhe hadithi tjetër nga ajo: "Po të kisha rastin edhe një herë, nuk do të rrija anash, nuk do të lejoja ta lante të Dërguarin askush përpos grave të tij". Pastaj Esma bint Umejsi na tregon, se Fatimja ka lënë amanet, që Aliu radijallahu anhu ta lajë atë. Po ashtu Ebu Bekri, radijallahu anhu ka lënë amanet që gruaja e tij Esma bint Umejs ta lajë atë dhe ajo e lau.

- i lejohet babait të lajë bijën e tij, që nuk i ka mbushur akoma shtatë vjet, po ashtu i lejohet nënës të lajë birin e saj, që nuk i ka mbushur akoma shtatë vjet.

Nga hadithi i sipërpërmendur mësojmë se është e pëlqyer, që në larjen e fundit të ketë edhe kamfur apo çfarëdo lloj parfumi tjetër, për shkak të porosisë së të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem. Këtë e pëlqejnë të gjithë dijetarët. Imam Neveviu thotë: "Sepse kamfuri i jep erë të mirë xhenazes, e bën të qëndrueshëm trupin e tij, e flladit dhe pengon prishjen e shpejtë të trupit". Është e pëlqyer që larja të bëhet tri herë, nëse nuk mjafton atëherë pesë, e nëse edhe kjo nuk mjafton atëherë edhe më shumë, por me numër tek. Është e pëlqyer që larja të fillojë nga e djathta, nga pjesët e abdesit. Te gratë, flokët shprishen dhe i bëhen në tre gërshetë, të cilat i vihen pas shpine. Ndërsa është e pëlqyeshme që aureti i rëndë i kufomës të mbulohet, si dhe është e pëlqyeshme që gjatë larjes të mos e shikojë askush përveç atij që është e nevojshme të rrijë aty.

Gjithashtu të vdekurin duhet ta qefinosim doemos. Aisha radijallahu anha, na përcjell: "Të Dërguarin, salallahu alejhi ue selem, e qefinosëm me tre pëlhura nga Jemeni, nga Sehuli (fshat në Jemen) të cilat ishin të bardha. Asnjëra nga ato tre (pëlhura) nuk ishte këmishë apo imame". (Buhariu dhe Muslimi) Imam Ahmedi ka thënë: "Hadithi më i vërtetë rreth qefinit të Resulullahut salallahu alejhi ue selem, është hadithi i Aishes". Më e mira është që qefini të jetë tre palë, si dhe të mos pritet ndonjëra palë në formën e këmishës apo imames. Ky është mendimi i shumicës, të cilët mbështeten në hadithin e Aishes, edhe pse disa dijetarë thonë se është e pëlqyer të ketë këmishë dhe imame, siç veprojnë edhe në vendet tona. Këtë mendim të fundit e përkrahin Ebu Hanife dhe Maliku.

Më mirë është që ngjyra e qefinit të jetë e bardhë. Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Rrobat më të mira janë të bardhat, vishni ato dhe me to qefinosni të vdekurit tuaj".
Si renditen pëlhurat? Ato vendosen njëra mbi tjetrën, dhe mbi to shtrihet i vdekuri. Pastaj palosen anët e pëlhurave nga ana e epërme duke filluar nga e djathta, pastaj nga e majta. E njëjta gjë bëhet edhe me dy pëlhurat tjera. Pjesa e tepruar e qefinit duhet të mbetet nga koka, sidomos kur pëlhura është e gjatë.

Ku dhe si falet namazi i xhenazes

Namazi i xhenazes është mirë të falet në vend-falje (musala) të veçantë për xhenazet, apo në vend-faljen e bajramit, nëse njerëzit janë shumë, sepse ky është Suneti i Resulullahut sal-lallahu alejhi ue selem. Argument është hadithi që na e rrëfen Ibën Omeri: "Çifutët erdhën te Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, dhe sollën një burrë dhe grua, të cilët kishin bërë zina, dhe i gurëzuan afër vendit ku faleshin xhenazet, afër xhamisë". Pra, dihej qartë vendi ku faleshin xhenazet. Mirëpo nëse xhenazja falet në xhami, si është meseleja?

- Është mekruh, kanë thënë malikitë dhe hanefitë, duke e mbështetur këtë mendim në një hadith nga Ebu Hurejre: "Kush ia fal xhenazen dikujt në xhami, ai s’ka bërë gjë" (Ebu Davudi).
- Lejohet. Argument është ajo që thotë Aisha radijallahu anha: "Resulullahu salallahu alejhi ue selem, ia ka falur xhenazen brenda xhamisë Suhejl ibën Bejdasë ". (Muslimi). Ky është mendimi i vërtetë, kurse argumenti i mendimit të parë është i dobët.

Nëse i vdekuri është grua, imami duhet të qëndrojë pranë mesit të saj, por nëse i vdekuri është mashkull, atëherë imami duhet të qëndrojë pranë kokës së tij. Argument për këtë është hadithi, të cilin e shënon Tirmidhiu nga Ebu Galibi: "E fala një namaz xhenaze, ku imam ishte Enes ibën Maliku, i cili u vendos në drejtim të kokës së tij. Më pas sollën një xhenaze grua prej kurejshëve dhe i thanë: O Ebu Hamza, falja edhe kësaj xhenazen dhe ai u ndal në drejtim të mesit të saj. Ala ibën Zijadi i tha: "Kështu e kam parë edhe të Dërguarin salallahu alejhi ue selem, njësoj sikur u vendose para kësaj gruaje dhe njësoj sikur u vendose para atij burri.” Ashtu është – tha Enesi, dhe kur mbaroi tha: Mbajeni mend këtë gjë".

Numri i tekbireve të namazit të xhenazes është katër dhe këtë e përkrahin shumica e dijetarëve. Por në Sahihun e Muslimit është vërtetuar se Resulullahu sal-lallahu alejhi ue selem, fali një namaz xhenaze me pesë tekbire. Pra, nëse ndonjëherë shtohen tekbiret, por më së shumti deri në nëntë, siç tregohet në transmetime të vërteta, nuk prishë gjë, madje është e lëvduar pasi ashtu ngjallet sunet më shumë.
Pasi thotë tekbirin e parë dhe i ngre duart, duhet të lexojë: Eudhu bilahi mine shejtani raxhim, Bismilahi Rahmani Rahim dhe suren Fatiha deri në fund, sepse Talha ibën Abdullah ibën Aufi përcjellë: “U fala mbrapa Ibën Abasit, kur ai po falte namazin e një xhenazeje dhe lexoi fatihanë. Pastaj tha: Që ta mësojnë se kështu është Suneti”. Dikush thotë se sureja Fatiha nuk duhet të lexohet dhe në vend të saj duhet të lexohet “Subhaneke...”, por si duket u ka ikur argumenti i sapopërmendur nga Ibën Abasi, radijallahu anhuma. Kurse theksimi që bëhet në trojet tona se lutjes “Subhaneke...” dashka shtuar pjesën “ue xhele thenauke”, është një veçim krejt i paargumentuar.

Pas Fatihasë thuhet tekbiri i dytë, dhe atëherë dërgojmë salavate mbi Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, duke lexuar: Allahume sali ala Muhamed ue ala ali Muhamed kema salejte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahime ineke hamidun mexhid. Allahume barik ala Muhamed ue ala ali Muhamed kema barekte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahime ineke hamidun mexhid.

Pas tekbirit të tretë lexojmë një prej duave të xhenazes, sikurse: “Allahume gfir lihajina ue mejitina ue shahidina ue gaibina, ue sagirina ue kebirina, ue dhekerina ue unthana. Allahume men ehjejtehu mina feahjihi alel islam ue men tevefejtehu mina fetevefehu alel iman. Allahume la tehrimna exhrehu ue la tudilena badehu – O Allah, fali të gjallët dhe të vdekurit tanë, të pranishmit tanë dhe ata që mungojnë, meshkujt tanë dhe femrat. O Allah, kujt nga ne që i jep jetë, jepi jetë në Islam, ndërsa kujt prej nesh ia merr shpirtin, merrja me iman. O Allah, mos na privo nga shpërblimet e këtij dhe mos lejo që pas atij të devijojmë”. Pas kësaj duaje, themi edhe tekbirin e katërt dhe japim selam. Nëse jep selam vetëm në njërën anë, mjafton.

Bartja e xhenazes

E kemi borxh ta bartim kufomën e muslimanit derisa t’ia falim xhenazen dhe ta varrosim, madje me këto veprime fitojmë shpërblime të mëdha. Ebu Hurejre radijallahu anhu, përcjell se i Dërguari sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Kush përcjell një xhenaze derisa t'i falet namazi ai ka shpërblim një kirat, e kush qëndron derisa të varroset ai ka shpërblim dy kirate". Ç'janë dy kirate? – e pyetën. Sa dy kodra të mëdha – u përgjigj Resulullahu sal-lallahu alejhi ue selem. Ndërsa sipas Muslimit: "Prej atyre të dyjave, më e vogla është sa kodra e Uhudit."

Përcjelljen e xhenazes e bëjnë burrat, por jo edhe gratë, sepse Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i ka ndaluar ato të përcjellin xhenazet dhe të vizitojnë varrezat. Gjatë përcjelljes lejohet të ecet para dhe mbrapa xhenazes, nga e djathta dhe nga e majta, përveç nëse është i hipur (në ndonjë mjet udhëtimi), atëherë duhet të vijë mbrapa xhenazes. Më e mira është që xhenazja të përcillet në këmbë, sepse një shok i Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, na rrëfen: “I Dërguari, paqja dhe bekimet qofshin me të, ishte duke përcjellë një xhenaze, kur i sollën një kafshë që të hipte, ai refuzoi, ndërsa në të kthyer kur ia sollën sërish kafshën, ai hipi. Atëherë e pyetën për këtë dhe ai tha: “Melaiket vinin duke ecur (në këmbë), ndërsa unë nuk doja të hipi kur ato ecnin, e kur shkuan atëherë hipa”.

Kurse bartja e xhenazes me qerre apo vetura të posaçme për kufoma dhe përcjellja e xhematit duke qenë të hipur secili nëpër vetura, Albani, Zoti e mëshiroftë, thotë se kjo formë është krejtësisht e papranuar, madje shton: “I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Përcillni xhenazet që ta kujtoni ahiretin”, kurse përcjellja e xhenazes në atë formë e hedh poshtë këtë qëllim madhështor. Dihet fare mirë se bartja e xhenazes mbi supe dhe të parët e përcjellësve këtë xhenaze mbi supet e tyre ndikon në përkujtimin dhe këshillimin e njerëzve më shumë sesa forma e lartpërmendur. Nuk do ta teproja kur them se ajo që i shtyu evropianët ta praktikojnë atë formë është frika e tyre nga vdekja dhe nga gjithçka që aludon për këtë.”
Varrosja e xhenazes

E kemi detyrim t’i varrosim të vdekurit, edhe në qoftë se nuk janë muslimanë, mirëpo muslimani nuk varroset te varrezat e jomyslimanëve dhe as e kundërta. Nga Suneti është që njeriu të varroset në varreza dhe jo në xhami apo në oborrin e xhamisë, siç vërehet në disa vende. Ndërsa varrimi i Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, në shtëpinë e tij u bë për shkak se veçori e pejgamberëve ishte që të varrosen aty ku vdesin. Gjithashtu përjashtim nga ky rregull bëjnë edhe shehidët e betejave, ata varrosen aty ku kanë rënë dëshmorë. Vendosjen e xhenazes poshtë në varr e bëjnë burrat, edhe nëse xhenazja është grua. Më të afërmit duhet ta bëjnë këtë dhe lejohet që burri ta vendosë gruan e tij në varr, por mundet edhe kushdo tjetër, me kusht që asnjëri nga ata (përfshirë edhe burrin e saj) të mos ketë pasur marrëdhënie intime mbrëmjen e kaluar. Duke shtrirë xhenazen në varr duhet thënë: “Bismilah ue ala suneti Resulilah – Në emër të Allahut dhe sipas Sunetit të Dërguarit të Allahut”.

Gjatë varrimit, gjithashtu është e lejuar, që nëse aty ka ndonjë njeri të ditur, të ngrihet dhe t’i përkujtojë pjesëmarrësit për vdekjen dhe ç’ka pas saj, siç ka bërë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem. Pastaj mbyllet varri duke mos shtuar mbi të më tepër dhè sesa është nxjerrë nga vetë ai varr. Vendoset një gur apo diçka tjetër mbi varr, me qëllim që të vërehet se është varr, si dhe mund të varrosë dikë tjetër prej familjes së të vdekurit në afërsi të tij në të ardhmen. Sipas mendimit më të vërtetë, nuk duhet t’i këndohet tallkini pas varrimit, sepse hadithi që e ligjëron atë nuk është i saktë. Më e mira është të rrimë pranë varrit dhe të kërkojmë falje dhe përforcim për vëllanë/motrën tonë. Ashtu na mëson Osmani, radijallahu anhu, i cili përcjell se kur Muhamedi, paqja dhe bekimet qofshin me të, mbaronte me varrimin e një personit, thoshte: “Kërkoni falje për vëllanë tuaj dhe lutuni të jetë i qëndrueshëm, sepse ai tani po pyetet”.
Këto që përmendëm këtu janë gjërat kryesore që duhen bërë gjatë përgatitjes dhe përcjelljes së xhenazes. Kurse shumë gjëra të tjera që janë përhapur në popullin tonë janë, ose tradita, ose bidate, të cilat nuk lejohet të veprohen. Allahu na e marrtë shpirtin me iman dhe na mundësoftë xhenetin më të lartë, Xhenetin Firdeus.

Omer Berisha

referencat:
Sahihu Tirmidhi nr. 1034
Buhariu nr. 1249
Buhariu dhe Muslimi
Sahihu Ebu Davud nr. 3177
Ahkamul Xhenaiz fq. 99
Shih komentin e hadithit nr. 1205 te Sahihul Buhari, kapitulli: Xhenazet.
Sahihul Xhami nr. 832
Sahihul Xhami nr. 1676
Ahkamul Xhenaiz fq. 197
Sahihu Ebu Davud nr. 3221

revista Albislam nr. 78
Përgjigje me Citat
Për këtë postim, ju falënderohet përdoruesi:
Medina (03-02-2010)
Përgjigju


Vegla të Temave
Ndrysho Paraqitjen

Rregullat e Postimit
Ju nuk mund të postoni tema të reja
Ju nuk mund të postoni përgjigje
Ju nuk mund të postoni shtojca
Ju nuk mund të editoni postimet tuaja

BB-Kodi është Aktiv
Smilies janë Aktiv
[IMG] Kodi është Aktiv
HTML Kodi është jo Aktiv
Trackbacks janë Aktiv
Pingbacks janë Aktiv
Refbacks janë Aktiv



Të gjitha kohët janë GMT +1. Koha tani është 21:38.


Mirëmbajtur nga: Kur´an dhe Sunnet ©2002 - 2010
Të drejtat e rezervuara për të gjithë Muslimanët
Powered by vBulletin®, Copyright ©2000 - 2010, Jelsoft Enterprises Ltd.