Kushtet e përkujdesjes së jetimit

Edhe kujdesi ndaj jetimit ka kushte.
Kusht esencial është që fëmija të jetë jetim dhe ky jetim të jetë nevojtar, sepse kemi jetim të varfër dhe të pasur.
Jetimin e pasur nuk duhet ta ndihmosh materialisht por shpirtërisht, sepse pasuria nuk ia zëvendëson ngrohtësinë atërore, kurse jetimi i varfër ka të drejtë ta marrë edhe zeqatin e të pasurve.
Jetimin shpirtërisht mund ta ndihmojmë duke e thirrur në festat e bajrameve, nëpër gëzime, festime të ndryshme, nëpër shëtitje e private dhe duke e shoqëruar me fëmijët tanë që janë të një moshe.
Gjithashtu, duhet të përkujdesemi për ta, t'i vizitojmë dhe t'ua mësojmë çështjet fetare dhe punët e kësaj bote.
Përkujdesja dhe zgjidhja e problemeve të jetimit duhet të kryhen duke qenë ai në shtëpinë dhe afër familjarëve të tij, pa e marrë në shtëpinë tonë, sepse pastaj ai do të ambientohet me atë familje të huaj.
Kështu që kur të rritet nuk i lejohet të qëndrojë në mesin e asaj familje, sepse aty ka vajza me të cilat ai nuk mund të qëndrojë bashkë, nuk mund t'i shikojë dhe mund të martohet me to.
Gjithashtu, nëse jetimi është vajzë, atëherë nuk mund të qëndrojë me djem të huaj me të cilët i është e lejuar martesa.
Pra, përkujdesja ndaj jetimit duhet të jetë prej së largu, duke e marrë nëpër udhëtime, shëtitje të ndryshme dhe duke e bërë të ndjehet se ka vëllezër me të cilët rritet bashkërisht.
Po ashtu, jetimin duhet ta mësojmë se familja islame ka veçoritë e veta me të cilat dallohet; t'ia mësojmë parimet morale të familje Islame, obligimet dhe të drejtat ndaj saj; edukatën e kërkimit të leje kur të hyjë në një shtëpi, parimet e sjelljes së mirë dhe të gjitha normat edukative islame.

Autor: Omer Abdulkafi
Perktheu: Ziber Lata
Marre nga libri: ''Kjo eshte feja jone''