Intervistë me Dr. Alaud- din el- Hamvi, pedagog i lëndëve të besimit (akaid) dhe tefsirit, në Universitetin "Ebu Nur", hatib i xhamisë "Salahud- din el Ejjubi"- Damask.



Dëshiroj të bisedojmë sot sëbashku rreth çështjes së argëtimit. A ka në Islam forma të ndryshme argëtimi për rininë dhe pjesën tjetër të shoqërisë?

Përpara se të flasim për individin musliman, duhet të flasim për njerzillekun e tij, dmth. qënien e tij njeri. E dimë shumë mirë se njeriu lodhet dhe mërzitet nga veprimtaria e tij ditore, sepse forca e tij është e përkufizuar. Këta kufinj e bëjnë njeriun të jetë i pasuksesshëm në jetën e tij, në qoftë se nuk do llogarisë për çdo punë edhe disa momente pushimi.

Islami është fe e jetës, e gjallërisë, e aktivitetit dhe medoemos që argëtimi në jetën e muslimanit zë një vend të qartë.

Mirëpo argëtimi në Islam është i drejtuar, dmth. se muslimani nuk argëtohet për të humbur kohën, por edhe argëtimin e vendos në një vend të duhur, duke e ruajtur kohën e tij, duke u ruajtur nga harami, duke respektuar të drejtat e tjerëve e duke mos u sjellur atyre ndonjë të keqe.

Argëtimin e shohim në shumë forma që në kohën e Pejgamberit (a.s), që i mësonte sahabët të argëtoheshin, duke u marrur me aktivitete të ndryshme sportive, si: kalorsëria, noti, qitja etj.

Duhet thënë se çdo individ i shoqërisë islame e gjen veten në forma të ndryshme të argëtimit që i përshtatet më shumë, duke filluar me qeshjen, lojrat e ndryshme të lejuara e për të përfunduar tek aktivitetet e ndryshme trupore, mendore, shpirtërore e shoqërore.



Shohim sot shumë nga problemet morale që na vijnë nga perëndimi, sidomos format e ndryshme të një argëtimi të çuditshëm. A mund të flasim për një zëvendësim islam të këtyre formave të reja të argëtimit perëndimor?

Përpara se të flasim për zëvendësimet dhe ne e dijmë se Islami është bazë përpara se të jetë zëvendësim, duhet të flasim për dy pika të rëndësishme të pyetjes: "problemet morale perëndimore" dhe "argëtimi i çuditshëm".

Problemet morale nuk kanë kartë identiteti, pra nuk mund të themi problemet morale perëndimore apo lindore, poashtu edhe argëtimin s'mund ta quajmë lindor apo perëndimor.

Le t'i shikojmë gjërat sipas qëllimeve të tyre, sipas vlerave, prandaj çdo çështje varet nga rezultati i saj. Nëse rezultati i saj është i mire, Islami e përqafon atë dhe nuk ka asnjë problem në këtë pikë.

Islami nuk është kundra asnjë grupi apo populli, apo personaliteti, por të thotë: Ti kush je dhe çfarë bën dhe punët tuaja a kanë vlerë apo jo? E nëse e gjen të mirën edhe tek një mexhusi (zjarrputist) e merr këtë të mirë, pasi Pejgamberi (a.s) thotë: ((Urtësia është argument i besimtarit, ku ta gjejë atë e merr)), pa shikuar se tek kush është kjo urtësi.

Më lejo ta rregulloj shprehjen "problem perëndimor", pasi problemi është rezultat i shumë shkaqeve, prandaj nuk na lejohet t'i themi një perëndimori problematik, por nganjëherë liria absolute pa kufinj bëhet shkak për problem si shkak i mos kuptimit të kësaj lirie!

Gjithashtu edhe "argëtimi i çuditshëm"…Njerëzit kur e humbasin lezetin e jetesës së tyre, e cila është një gjë shumë e bukur, fillojnë e veprojnë gjëra të jashtëzakonshme, nëse ia vlen të themi kështu. Psh. kur isha në Zvicër, në vitin 1977 më tërhoqi vëmendjen pamja e atyre që ngrinin flokët përpjetë ose rruanin të gjithë kokën përveç një pjese të vogël në mes të saj, ose i lyenin flokët me shumë ngjyra, ose tatuazhet e ndryshme në trup. Më tërhoqi vëmendjen sepse nuk pashë asnjë gjë të vlefshme në këtë veprim, pasi siç thashë edhe më parë Islami kërkon për gjërat me vlerë, atëherë çfarë vlere ka të bësh një tatuazh në trup apo të ngjyrosësh flokët me tri- katër ngjyra njëherësh?

Më vonë konstatova se këta persona kërkojnë për një argëtim të çuditshëm, me të cilin duan t'i thonë njerëzve se ne jemi ndryshe!

Prandaj u përhap në ato vende homoseksualizmi, problemet e ndryshme seksuale etj, jo se ata e duan këtë por sepse ata kërkojnë për një kënaqësi të pa gjetur.

Por cilat janë zëvendësimet e këtyre veprimeve, nga aspekti islam?

Argëtimi islam, pikë së pari, është ngritur mbi rregullin që do thotë se personaliteti yt është i barazpeshuar, pa tronditje. Ti s'je një kundërveprim, por ti je veprim.

Kundërveprimet, zakonisht janë negative e të pavlera psh, kur njeriu e vendos dorën e tij në një send të nxehtë, çfarë vepron? E tërheq dorën e tij me të shpejtë. Kjo shpejtësi mund të godasë dikë dhe mund të shkaktojë ndonjë dëm.

Islami nuk është kundërveprim, ai është veprim!

Përherë mendon, kërkon!

Islami nuk i ndalon gjërat që mund të përdoren për të mirë apo për të keqe, por e ndihmon muslimanin për të mirë përdoruar këto gjëra.

Do ju jap një shembull të thjeshtë: Kjo lapsë që kam në dorë, mund të shkruajë njeriu me të fjalë të pista e të ndaluara, por mund të shkruajë me të edhe fjalë të vlefshme…Islami thotë: Ne nuk e ndalojmë përdorimin e lapsës por të mësojmë ta përdorësh për shkrime të bukura e me vlerë.

Me këtë gotë, njeriu mund të pijë një pije dehëse, por mund të pijë me të edhe Zemzem…Atëherë ne nuk e ndalojmë përdorimin e gotës, por themi: Përdore si duhet këtë gotë!

Po ashtu edhe televizioni, interneti, videoja, të gjitha këto mund të përdoren për të prishur moralin e sjelljen, ndërsa Islami të thotë: Mos i ndalo, por përdori si duhet!

Mendo për të krijuar faqe islamike në internet, mendo të realizosh filma, drama, emisione e reklama islame në television, mendo të krijosh kanale televizive islame!

Këto fjalë Islami ia thotë atyre që duan të arrijnë në gradët e larta të civilizimit njerëzor, pasi është shumë e thjeshtë të ulesh në shtëpinë tënde e të thuash: Kjo është haram, kjo e ndaluar, kjo…, kjo…!

Do mbesësh në vendin tënd, e bota do ecë përpara. Bota ecën duke mos shikuar prapa!

Këtu në mes dy kllapash, dua të them një fjalë, të cilën e përmenda në hytben e Bajramit të Madh, përpara dy vjetësh në Amerikë, në Indiana, kur i thashë masës së madhe besimtare atje: Nuk ju thërras të kthehemi prapa 1400 vjet në kohë, as ju thërras të jetojmë në mjedisin e sahrasë, në të cilin jetoi Muhammedi (a.s), por në emrin tim dhe në emrin tuaj e thërras Muhammedin (a.s), të dërguarin e All- llahut, të jetojë me ne këtu në Amerikë në vitin 2000, për të parë se çfarë vepron, si punon, si jeton, si i zgjidh problemet e botës, si hyp në avion, si i përdor kanalet satelitore, si e përdor telefonin, internetin…Kështu duhet t'i mësojmë njerëzit, me një fjalë të vetme: Feja është vërtetësi dhe realitet, që s'lidhet me kohë!

Psh. dalja e diellit…Dilte në kohën e Ademit, Muhammedit, në kohën tonë e deri në ditën e kijametit…Dielli është vërtetësi që nuk ndryshon.

Të ushqyerit me gojë është vërtetësi…Ademi ka ngrënë me anën e gojës, edhe ne ushqehemi me anën e gojës…vërtetësi!

Islami është vërtetësi, që do thotë se nuk ka lidhje me ndonjë kohë të caktuar, prandaj duhet ta aplikojmë sa të mundemi.

Kthehemi tek pyetja në lidhje me zëvendësimet islame, për të thënë se Zoti (xh.sh.) përpara se t'i ndalonte gjërat, nuk ndaloi domosdoshmëritë e jetës tonë.

Ndaloi pijet dehëse, por na lejoi të pijmë pije freskuese joalkoolike.

Ndaloi adulterinë, por na lejoi martesën.

Pra, nuk ndaloi asgjë të domosdoshme, nuk ndaloi asgjë pa i gjetur një alternativë tjetër të vlefshme!

Zoti e ndaloi përzierjen e gjinive, por lejoi marrëdhëniet shoqërore të lejuara.

Zëvendësimi islam është shumë i thjeshtë, duke e pastuar nga harami.

Noti, me mbulimin e vendeve të turpshme të trupit.

Gëzime e dëfrime, pa banalitete e ekstremitete.

Dua të them edhe një fjalë, edhe pse u zgjata pak në këtë përgjigje: Të gjitha format e argëtimit hyjnë në kategorinë e "Edukimit Sakrifikues", që është një gjë bazë në jetën e muslimanit.

Ky është edukimi i forcës, i përgatitjes, i ndikimit pozitiv…

Ne nuk duam që të rinjtë tonë të jenë të dobët, kur bien në kontakt me Universitetin, me jetën e përditshme, me udhëtimet, kur takohen me jomuslimanët, etj.

Nën këtë temë hyjnë të gjitha alternativat zëvendësuese, të përshtatshme për kohën, vendin dhe nën bekimin e Zotit (xh.sh.).



Transmeton Ebu Davudi nga Enesi (r.a), se Pejgamberi (a.s) ka thënë: ((Argëtoni zemrat herë pas here)). Çfarë do thotë ky hadith dhe a ka lidhje me temën tonë?

Pa dyshim që ka lidhje me thelbin e çështjes për të cilën po flasim, pasi sikur të shohim rolin e Pejgamberit tonë (a.s) si edukator sociolog, do shohim se kuptimi i fjalës "argëtoni" këtu, ka të bëjë me ndryshimin, pasi ne e dimë fare mirë se njeriu nëse flen në një krah të vetëm, kjo gjëndje do i shkaktojë dhimbje, kështu që ai ka nevojë për ndryshim të krahut…Ky është ndryshimi- argëtim, që nënkuptohet këtu.

Njerëzit, sot në kohën e materializmit për fat të keq jetojnë një jetë materialiste, që e bën individin të mos mendojë vetëm se në ushqimin, pijen, martesën, gjumin dhe që e ndalon të mendojë për këtë zemër që është baza.

Prandaj, Pejgamberi (a.s) na tërheq vëmendjet tona për t'i drejtuar tek kjo zemër, që të argëtohet herë pas heret, për të arritur në një barazpeshë.

Më lejo të përmend këtë shembull; Edhe kafshës, Zoti i ka vendosur një orar të caktuar në brendësinë e saj, për veprimet ditore. Nëpërmjet këtij orari ajo arrin të dallojë orët e punës nga ato të pushimit!

Ajo e di fare mirë kur vjen koha e punës, prandaj punon me gjithë fuqinë e saj, por njëkohësisht ajo e di edhe kohën e pushimit, prandaj e shohim në atë kohë duke ngrënë, duke luajtur, duke u larë, duke ngacmuar një kafshë tjetër, etj.

Për fat të keq njeriu e ka keqkuptuar lirinë që i ka dhënë Zoti, prandaj e shohim shpeshherë duke vepruar djathtas e majtas me ekstremitet, duke e bërë jetën e tij të zbrazët nga argëtimi e pushimi.

Mirëpo kush e shpërdoron atë natyrë që ka vendosur Zoti për jetën e njeriut, do pendohet pas njëfarë kohe.

Rri i ulur tërë ditën në një karrigë, pas njëfarë kohe ankon nga hierret diskale, vjen mjeku dhe i thotë, do rrish në shtrat një muaj ose më shumë! Pse? Sepse ky njeri ka gabuar në barazpeshimin e kohëve!

Nga ana tjetër gjejmë njerëz që rrinë tërë ditën duke qeshur, duke luajtur e duke tallur të tjerët…

Pa dyshim të dyja këto dy ekstremitete janë të gabuara.

Muslimani është ai që përherë i barazpeshon punët e tija sepse moral i muslimanit është barazpeshimi i punëve, edhe pse është një gjë e vështirë, por jo e pa arritshme.

Atëherë themi se argëtimi është vendosja e një barazpeshe në veprimet ditore, të mos ketë gjë në llogari të një tjetre.

Ushqehet që të pushojë, pushon që të punojë, punon për të ndërtuar, ndërton për të vyer, i vlen të tjerëve që të përfitojë, e kështu me rrallë si disa hallka të një zinxhiri të gjatë!

Kur Pejgamberi (a.s) na thotë të argëtojmë zemrat, kjo do thotë:

1. Keni kujdes për zemrat tuaja.

2. Zemrat po të lodhen do verbohen.

Dëgjo se si e ka ndaluar Pejgamberi (a.s) ekstremitetin edhe në adhurim.

Hyri një ditë në xhaminë e tij dhe pau një litar të lidhur në mes të xhamisë. Pyeti se çfarë është ky litar. I thanë se gruaja jote Zejnebi, e ka vendosur që të mbahet në të kur të falet gjatë natës. Pejgamberi (a.s) nuk e pranoi këtë veprim dhe tha: ((Zgjidheni dhe le të falet secili prej jush me zell)).

Pas kësaj ai zotëri (a.s) bëri arsyetimin e këtij vendimi, duke thënë: ((Sepse ajo nëse lodhet do mërzitet, e në qoftë se mërzitet ndoshta mund të lutet gabim)), d.m.th. nuk do jetë e përqendruar në adhurimin e Zotit të saj, e këtë gjë Islami e refuzon, pa dyshim!

Kjo s'është asgjë tjetër vetëm se thirrje për mendjen e muslimanit që të përpiqet të gjejë argëtimin më të përshtatshëm për veten e tij, individual qoftë, apo shoqëror.

Këtu është e domosdoshme të themi disa fjalë për ndalesat juridike islame (haramet).

Harami ndahet në dy pjesë: I ndaluar për veten e tij dhe i ndaluar për një shkak të jashtëm.

I ndaluar për veten e tij si alkooli, pasi ai është dehës.

Kumari, pasi ai të nxit për parazitizëm individual e shoqëror.

I ndaluar për një shkak të jashtëm si luajtja e shahut, ose e letrave.

Shahu nuk është haram, por nëse një njeri, ditë për ditë do luajë shah 4 orë në ditë për shembull, një kohë që thirret ezani e ai s'pyet fare për namazin, ose gjatë lojës do kalojë në grindje, etj., çfarë t'i themi këtij personi? T'i themi se shahu është hallall? Jo! Ai është haram, por për shkak të jashtëm.

Kështu duhet të kemi kujdes edhe për argëtimet që bëjmë, mos të jenë të ndaluara ose mos të na tërheqin nga e ndaluara.

Islami nuk është fe egërsie dhe fanatizmi, por i jep çdo gjëje hakun e saj!



Cila është këshilla juaj për rininë shqiptare, sot në kohën e mjeteve informatike si interneti, televizioni, radioja, revista etj. Si të përfitojë nga ato, në të mirë të vetes, shoqërisë e atdheut, duke u kujdesur njëkohësisht për kohën e saj?

Para se t'i përgjigjem kësaj pyetje, më lejo që t'i drejtojtohem nga ky vend, me një përshëndetje dashurie dhe nderimi, rinisë shqiptare, të cilët janë vëllezërit e Pejgamberit Muhammed (a.s).

Këtë gjë nuk e them nga vetja ime, por vetë Pejgamberi (a.s) i ka përkufizuar me këto fjalë, kur një ditë prej ditësh u tha të pranishëmve në ndenjën e tij: ("Dëshirova të shikoj vëllezërit e mi"- Sahabët thanë: A nuk jemi ne vëllezërit e tu, o i dërguar i All- llahut? Tha: "Ju jeni shokët e mi. Vëllezërit e mi janë ata që më besuan pa më parë").

Edhe rinia shqiptare e ka besuar Pejgamberin (a.s) pa e parë, edhe pse i lutem All- llahut që t'i afrojë ata shpirtërisht pranë atij zotërie (a.s).

Pas kësaj Pejgamberi (a.s) tha: "Ata kanë shpërblimin e 50 shehidëve prej jush sepse ju gjeni kë t' ju ndihmojë për të bërë mirë, ndërsa ata nuk gjejnë kë t'i ndihmojë për të bërë mirë"!

Prandaj i përshëndes vëllezërit e mi shqiptar, të cilët duruan për të ruajtur identitetin e tyre islam dhe e ruajtën fenë e tyre, duke u thënë: "Lum si ju për këto shpërblime të shumëfishuara, për të cilat ju sihariqoj Pejgamberi (a.s)".

Pastaj ju them: Meqenëse ju qëndruat të palëvizshëm përballë vështirësive që kaluat, duhet që këtë qëndrim të mbani edhe sot përballë intrigave të ndryshme, për të qenë një shkak pozitiv në realizimin e pikëpamjeve islame, jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët.

Të mendojmë sëbashku se si të thërrasim të tjerët në Islam nëpërmjet radios, televizionit, internetit apo kanaleve të ndryshme!

Duhet të punojmë seriozisht për të zgjedhur "sofrat" më të mira për paraqitjen e këtij Islami të pastër.

P. sh. radioja është "sofër", televizioni është "sofër", interneti poashtu…Pra le të zgjedhim për vetet tona më të mirën dhe le t'i mbushim këto "sofra" me atë ç'ka vlen, që do i shërbejë krejt shoqërisë.

Vëllezër dhe motra muslimanë shqiptarë!

Bota sot ka nevojë për një Islam të qartë e të shëndoshë që shihet me sy…Njerëzit nuk duan ligjërata!

Ata duan të shijojnë, duan vërtetësi, duan punë…

Pejgamberi (a.s) nuk ka urdhëruar që të mbyllemi nëpër xhamia apo vende të tjera, por na ka këshilluar që të shpërndahemi ndër njerëz e tu paraqesim atyre vlerën e Islamit me veprat tona, që ata ta shikojnë më sytë e tyre mrekullinë e tij!

Një here një shok i imi me të shoqen po qarkullonin në rrugët e Amerikës, kur u bë koha e namazit të akshamit.

Meqenëse po përfundonte koha e kësaj falje, ata hynë në një lulishte për tu falur sëbashku…

Një grua në moshë, duket se ishte ndaluar për t'i parë dhe me shumë edukatë iu afrua duke i përshëndetur dhe duke i pyetur për veprimin e tyre…

Pas përgjigjes, ajo filloi të qante dhe pas pak u tha se ajo dëshironte të jetonte në vendet e tyre qoftë edhe për 6 muaj, e më pas le të ndodhë çfarë të ndodhë…

Ajo nënkuptonte jetesën në besimin e tyre, sepse e kishte provuar jetën materiale…

Ndërsa ata të dy nuk propaganduan Islamin me gojë, por me vepra, që ndikuan tek zonja e moshuar!

Prandaj ju them se duhet të kemi kujdes për këtë mision, me të cilin paraqitemi përpara botës!

Të sakrifikojmë me aq sa kemi në dorë dhe All- llahu do na ndihmojë me mirësinë e Tij të madhe.

Dhe së fundi ju këshilloj që të hidhni një sy edhe nga eksperiencat e vëllezërve tuaj muslimanë nëpër botë, në mënyrë që të përfitoni nga koha në argëtim dhe veprimtaritë e tjera, të bashkuara me mësimet dhe udhëzimet islame, që rinia jonë ta ndjejë se po zhvillohet në mënyrë të shëndoshë e të fortë!

Na dhuroftë All- llahu (xh.sh.) zgjuarsi për të përfituar nga mirësitë e Tija të shumta, të dukshme e të padukshme!



Ju falenderoj shumë për përgjigjet e sinqerta, duke ju uruar mbarësi dhe përparim të mëtejshëm në misionin tone të përbashkët!

Kënaqësia ishte imja në komunikimin me ju!



Bisedoi

Muhamed Sytari





Damask, më 22. 09. 2001

Shkodër, më 12. 09. 2002