Dituria për fenë, ta zëmë, është më me përparësi se secila dituri tjetër ngaqë dobia prej saj ka të bëjë drejtpërdrejt me ahiretin gjë që mund t'i kushtohet njeriu.

A:Edukata dhe detyrat e nxënësit

1. Që më parë të pastrojë shpirtin nga sjelljet e këqija dhe cilësitë e shëmtuara, sepse dituria është ibadeti i zemres, namaz i fshehtë dhe afrim i fshehtë te Allahu dhe ashtu siç nuk bën namazi që është detyrë e gjymtyrëve pa abdes, ashtu nuk bën as dituria pa e pastruar shpirtin nga sjelljet e këqija e cilësitë e shëmtuara.


"Vërtet idhujtarët janë të ndyrë"
(ajeti 28, e-Ttevbe)

Ky ajet është argument se papastërtia nuk është vetëm lëndore, politeisti mund të jetë me rroba e trup të pastër, por, megjithatë, është quajtur i papastër duke marrë në konsideratë brendinë e tij.

I dërguari ka thënë se melaiket nuk hynë në një shtëpi ku ka qen, kurse zemra është shtëpia ku rrinë melaiket dhe cilësitë si zemërimi, smira, mendjemadhësia e të këtilla janë si qentë, prandaj si t'i shkojnë melaiket në zemër një njeriu që ka këta qen në zemër.

Ibnu Mesudi ka thënë: "Dituria nuk është me të mësuar shumë, por nur që hidhet në zemër." Disa të tjerë kanë thënë se dituria është "frika" duke u mbështetur në ajetin:


" Nga robërit e Tij, Allahut ia kanë frikën vetëm ata që janë dijetarë" ( ajeti 28, el-Fatir)

në kuptimin që Allahu në këtë ajet ka përmendur frytin më kryesor të diturisë që është "frika ndaj Allahut."

2. Që të bëhet sa më pak i lidhur me çështje të kësaj bote, sepse Allahu askujt nuk i ka falur më shumë se një zemër që nga një t'ia kushtonte secilës punë, kurse dituria siç kanë thënë dijetarët: " Nuk ta jep një pjesë të saj pa ia dhënë ti veten të tërën asaj."

Sa më shumë që shpërndahet interesimi i mendjes, aq më shumë dobësohet për të kuptuar të vërtetat.

3. Që të mos mendjemadhësohet dhe të jetë i dëgjueshëm ndaj mësuesit e të kërkojë për të nga Allahu shpërblim e nderim.

Shabiu r.a. tregon se Zejdi r.a. kishte falur namazin e një xhenazeje dhe ky ia kishte afruar deven t'i hipte e e kishte ndihmuar ibnu Abasi r.a., Zejdi i kishte thënë: Lëre o djali i xhaxhait të të dërguarit. Ibnu Abasi ia kishte kthyer: "kështu na ka urdhëruar i dërguari të bëjmë me dijetarët e me të mëdhenjtë. Zejdi ia puthi dorën Ibnu Abasit dhe tha: "Kështu na ka urdhëruar i dërguari të sillemi me familjarët e të dërguarit."

Nga shprehja e mendjemadhësisë është ta kërkosh diturinë vetëm nga dijetarët e shquar dhe kjo është një e metë e madhe, sepse dituria është shpëtim, dhe për këtë gjë dijetarët krahasojnë se sikur kur ik nga një luan që të ndjekë dhe nuk zgjedh që ai që të shpëton nga luani të jetë autoritet, ashtu duhet ikur nga padituria pa përzgjedhur që ai që të shpëton të jetë autoritet.

Nxënësi duhet që të përfillë mendimin e mësuesit, të mos shpeshtojë pyetjet dhe të mos pyesë për gjëra për të cilat mësuesi i tij vlerëson se ende nuk e ka kohën për t'i kuptuar.

Aliu r.a. ka thënë: "Nga të drejtat e dijetarëve është që të mos t'u teprohet duke i pyetur."

4. Që të mos ndeshet menjëherë me mospajtimet mes dijetarëve.

Nxënësi fillimisht i përmbahet një drejtimi, pikërisht atij drejtimi që ka mësuesi i tij e tek pastaj vështron mospajtimet mes drejtimeve.

5. Që të mos lërë asnjë shkencë e as degë shkencore pa ia hedhur një vështrim, pastaj nëse i premton koha thellohet në to e nëse nuk i premton koha përzgjedh më të rëndësishmet.

Dituritë ndihmojnë njëra – tjetrën dhe sa më shumë që mëson njeriu, aq më shumë zhduk armiqësinë që ka me diturinë, se njerëzit janë armiq të asaj që nuk e dinë.

6. Që të mos thellohet në një dituri a degë diturie e të mbetet në të pa u kujdesur për renditjen e diturive dhe ia nis nga më të rëndësishmet.

7. Të mos ia nisë tjetrës shkencë pa mbaruar parapraken, nxënësi duhet që të mos i hyjë një shkence apo dege shkencore pa mbaruar së studiuari shkencën apo degën paraprake, sepse shkencat dhe degët e tyre janë të atilla që përmes njërës arrin te tjetra dhe i suksesshëm del vetëm ai i cili përfill renditjen e tyre.

Këtë vlerë imam El-Gazaliu e ka argumentuar me ajetin kur'anor:

"Ata që e lexojnë librin e lexojnë duke ia dhënë hakun" (ajeti 121, el-Bekare)

Gjithashtu nxënësi duhet të tregojë kujdes që të mos ftohet nga një shkencë e të ngutet ta konsiderojë si të pasaktë për shkakun se dijetarët e asaj shkence kanë mospajtime në lidhje me ndonjë çështje.

Disa njerëz gabimisht janë ftohur nga lëndët logjikale dhe lënda e fikhut nga shkaku që dijetarët e këtyre fushave kanë pasur mospajtime në mes vete, kurse disa të tjerë gjithashtu gabimisht e kanë zënë ( konsideruar) mjekësinë si të pasaktë nga shkaku që kanë parë ndonjë mjek të gabojë, pikërisht në lidhje me këtë Aliu r.a. ka thënë : "Mos e njih të vërtetën përmes njerëzve që shquhen për dije të saj, por njihe drejtëpërdrejt, atëherë do të njohësh dhe do të kuptosh njohësit e asaj të vërtete."

8. Njohja e shkakut që e bën një shkencë më të vlefshme

Nxënësi duhet të dijë se ka dy kritere mbi bazën e të cilave mat vlerën e shkencave.

Këto dy kritere janë:

1.-Dobia që mund të ketë nga ajo shkencë

2.-Saktësia që e përshkon atë shkencë

Dituria për fenë, ta zëmë, është më me përparësi se secila dituri tjetër ngaqë dobia prej saj ka të bëjë drejtpërdrejt me ahiretin gjë që mund t'i kushtohet njeriu.

Nga dy kriteret e përmendura kriteri i parë, ai i marrjes parasysh të dobisë është më me përparësi ndaj kriterit të saktësisë, prandaj kur këto dy kritere favorizojnë të kundërtat kur krahasohen dy shkenca, më me vlerë e më me përparësi merret ajo shkencë që e favorizon kriteri i marrjes parasysh të dobisë.

Kështu nëse krahasojmë mjekësinë që e favorizon kriteri i dobisë ndaj matematikës që e favorizon kriteri i saktësisë, mjekësia do të vlerësohet si më me përparësi pikërisht pse e favorizon kriteri më me përparësi për t'u marrë parasysh, pra, kriteri i marrjes parasysh të dobisë.


B:Edukata dhe detyrat e mësimdhënësit


1. Butësia ndaj nxënësve

Mësimdhënësi duhet të sillet me butësi e me dashamirësi ndaj nxënësve të vet.
Ata duhet t'i trajtojë si fëmijë të tij. Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i dërguari a.s. ka thënë:

" Unë ndaj jush jam si prindi ndaj fëmijës"
(hadith, që e shënojnë: Ebu Davudi, Ibni Maxheja, Nesai-u, dhe Ibni Habbani)

Madje, lartësia e vlerës së mësimdhënësit ia kalon lartësisë së vlerës së prindit, sepse mësimdhënësi punon ta shpëtojë nxënësin nga zjarri i botës tjetër gjë që është më e vlerë sesa shpëtimi nga zjarri i kësaj bote, për çka zakonisht kujdesen prindërit, pastaj mësimdhënësi është shkaku për t'u pozicionuar në botën e përhershme, kurse prindërit shkaku i ardhjes së tij në këtë botë të përkohshme, prandaj haku ndaj mësimdhënësit, kuptohet fjala është për mësimdhënës që i bën dobi për ahiretin nxënësit, qoftë mësimdhënës lënde fetare apo shkencore, është më i madh, pra, ky hak ndaj mësimdhënësit sesa haku ndaj prindërve.

Ashtu siç ia kanë obligim prindit të jënë të dashur e të ndihmuar mes vete bijtë e tij për të gjitha qëllimet e objektivat, ashtu ia kanë obligim nxënësit mësimdhënësit që mes vete të jenë të dashur e të ndihmuar, por kështu gjithherë do të jenë vetëm kur për qëllim kanë ahiretin, ndryshe, po patën qëllim këtë botë, mes tyre do të ketë vetëm urrejtje, zili, smirë e të këtilla.

Dijetarët janë udhëtarë për te Allahu xh.sh. dhe siç dashurohen mes vete udhëtarët për shkak të udhëtimit të përbashkët në një vend të caktuar në këtë botë, dashurohen edhe udhëtarët për në Firdevs dhe dashuria e tyre është më e madhe se e të parëve për aq sa më i vlerë është Firdevsi nga ai vend i kësaj bote.

Kurse ata që përmes mësimit kanë qëllime ideale të tjera dhe jo ahiretin, dalin e përjashtohen nga ajeti:

" besimtarët mes vete s'janë tjetër veçse vëllezër"

dhe hyjnë në kuptimin e ajetit:


"Dostat atë ditë i bëhen armik njëri-tjetrit me përjashtim të të devotshmëve"

2. Ta ndjekë shembullin e të dërguarit a.s.

Duhet ta ndjekë shembullin e të dërguarit a.s. e të mos kërkojë për mësimdhënie pagë nga nxënësi dhe as të mos e bëjë me qëllimin që t'ia shpërblejnë e që ta falenderojnë, por u jep mësim për hir të Allahut, duke kërkuar që me mësimdhënie t'i afrohet Atij.

Mësimdhënësi nuk llogarit se për të mirën e mësimdhënies i kanë borgj nxënësit edhe pse këtë e ndjejnë nxënësit dhe u bie detyrë t'ia dinë, por mësimdhënësi meritën ua njeh nxënësve për arsyen që kanë bërë gati zemrat e veta t'u afrohen Allahut duke mbjellë në to dituri.

Shembulli i nxënësit dhe mësimdhënësit në këtë aspekt i ngjan shembullit të atij njeriu që ta jep tokën hua që ti ta mbjellësh për vete dhe fitimi yt është shumë më i madh se i pronarit, prandaj si ta llogaritësh se të kanë borgj?!

Shpërblimi për mësimdhënësin është shumë më i madh sesa shpërblimi i nxënësit e po të mos ishte nxënësi, mësuesi s'do të kishte si ta arrinte këtë shpërblim.

Mësimdhënësi për mësimdhënie nuk kërkon pagë, siç thuhet në Kur'an:

"O popull, unë për të s'ju kërkoj shpërblim..."

3. Të mos e lërë pa e këshilluar për gjithçka

Mësimdhënësi nuk duhet të lërë gjë pa e këshilluar për të nxënësin. Këtë e bën me qëllim që ta pengojë që të mos marrë ndonjë dituri të fshehtë para se ta mbarojë diturinë e dukshme, i shpjegon gjithashtu se qëllim për ta kërkuar diturinë duhet ta ketë afrimin te Allahu i madhëruar e jo udhëheqjen, krenimin apo konkurimin dhe për t'ia mbushur mendjen për këtë mësimdhënësi bie shembullin e vet dhe i dëshmon sa më shumë se urren tepër që t'i ketë ato qëllime të mbrapshta.

4. Të përdorë mënyrën implicite në të tërhequr të vërejtjes

Është nga mjeshtria e mësimdhënies që mësimdhënësi për sjellje të këqija t'u tërheqë vërejtjen nxënësve në mënyrë implicite (të tërthorta) dhe jo në mënyrë eksplicite (të drejtëpërdrejta) dhe që t'ua tërheqë me afri e jo me arrogancë, sa të ketë mundësi për këtë, sepse tërheqja e vërejtjes në mënyrë eksplicite shpesh herë nxit guximin për të kundërshtuar mësimdhënësin dhe nxit prirjen për të mos u ndaluar nga sjellja për të cilën i tërhiqet vërejtja. Ngjarja e Ademit dhe Havasë dhe çështja për çka u ndaluan nuk na janë sjellë kot, por si shembull për ta medituar e për të nxjerrë përfitime diturore edhe në aspekt të metodologjisë.

Kurse tërheqja e vërejtjes në mënyrë implicite (nënkuptuese) shpirtrat fisnikë dhe mendjet e zgjuara i nxit të nxjerrin kuptimet dhe i kënaq kur i marrin vesh kuptimet, sepse këta kanë dëshirë të flaktë për të marrë vesh dhe gëzim të madh kur kuptojnë se një gjë nuk del jashtë aftësive të tyre kuptuese, prandaj për këtë arsye dhe arsye të tjera është e domosdoshme që mësimdhënësi për të tërhequr vërejtjen nxënësve për sjelljet jo të mira e jo edukative, të përdorë sa të mundet mënyra implicite dhe jo eksplicite.


Nxjerrë nga vepra "Ihjauulumiddin" e Gazaliut
Nga: Ilmi Rexhepi