“Besimtarë janë vetëm ata që besuan Allahut, të dërguarit të Tij e mandej nuk dyshuan dhe për hir të Allahut luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre. Të tillë janë ata të vërtetit.”

Allahu në këtë ajet përmend disa çështje që kanë të bëjnë me imanin, d.m.th.: me anën e tij të brendshme. Besimi në Allahun dhe besimi në të dërguarin e Tij janë prej çështjeve të brendshme. Pastaj ka përmendur xhihadin e që është punë e dukshme dhe vepër e gjymtyrëve.

Të besosh në Allahun do të thotë të besosh në veprat e Tij (teuhidin rrububije), të besosh se vetëm Allahu është Ai që meriton adhurimin dhe askush tjetër, si dhe të besosh në emrat dhe cilësitë e Tij.

Ndërsa të besosh në pejgamberinë tij, d.m.th.: të besosh se ai është i Dërguar i Allahut, të veprosh në atë që urdhëron dhe të ndalohesh nga ajo që ai ndalon.

Pastaj thotë Allahu: “mandej nuk dyshuan.” D.m.th.: pasi që besuan në Allahun nuk dyshuan në mësimin e tyre. Pra, imani i njeriut është një ibadet i zemrës, po ashtu mos dyshimi është ibadet i zemrës. Pasi që Allahu i përmendi këto, kaloi në vepra të gjymtyrëve, duke thënë: “Dhe për hir të Allahut luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre.”

Dijetarët thonë se në shumicën e ajeteve, kur përmendet lufta në rrugën e Allahut dhe flijimi në të, i jepet përparësi luftës me pasuri, para asaj me shpirt apo me veten. Për arsye se kanë thënë disa dijetarë se pasuria është më e dashur tek njeriu se sa vetja e tij. Për këtë e sheh njeriun i cili e lodh veten e tij për arritjen e pasurisë, pastaj nuk dëshiron që atë pasuri ta shpenzojë. Për këtë edhe Allahu i dha përparësi pasurisë ndaj vetes në luftën në rrugën e Allahut për të jua tërhequr vërejtjen.

Ndërsa disa dijetarë të tjerë kanë thënë se Allahu i ka dhënë përparësi në shumicën e ajeteve pasurisë para vetes së tij, për arsye se lufta në rrugën e Allahut ka nevojë për dhënien e pasurisë, para se të ketë nevojë për dhënien e vetes. Besimtari kur shkon në luftë në rrugën e Allahut nuk ka çka kërkon, nëse nuk ka armë, ndërsa armët duhet të blihen me pasuri.

Si do qoftë, ajeti ka mundësi t’i përfshijë të dyja mendimet dhe për këtë mund të themi se Allahu i ka dhënë përparësi pasurisë në xhihad para vetes, për arsye se pasuria është më e dashur tek njeriu se sa vetja e tij dhe gjithashtu para se të dilet në luftë, njeriu duhet të jetë i përgatitur me armë të mira dhe kjo bëhet kur njeriu posedon pasuri.

Allahu në këtë ajet e ka përmendur një kusht që është shumë me rëndësi t’ia kushtojmë vëmendjen këtij. Ai kusht është: “në rrugën e Allahut”. D.m.th.: luftuan me pasurinë dhe me veten e tyre në rrugën e Allahut. Besimtari nuk lufton për sy e faqe, por ai lufton për Allahun. Ai nuk lufton për shkak të vendit, mirëpo këtë e bën që lufta të jetë vetëm për Allahun. I Dërguari i Allahut ka treguar se kur lufta mund të jetë në rrugën e Allahut, kur është pyetur për njeriun i cili ka dal të luftojë që t’i thuhet trim, një njeri i cili ka dalë të luftojë për shkak të plaçkës apo ka dalë të luftojë për shkak që të ketë ndonjë pozitë, pastaj i kanë thënë të dërguarit të Allahut se cili prej këtyre është në rrugën e Allahut. I Dërguari i Allahut iu përgjigj: “Kush lufton që fjala e Allahut të jetë më e larta ai është në rrugën e Allahut.”

Kanë thënë dijetarët se në këtë ajet hyn edhe xhihadi me dije, sepse qëllimi i dijes dhe i mësimit të tjerëve gjithashtu është që të ngrihet fjala e Allahut. Xhihadi bëhet me shpatë, me armë, por bëhet edhe me gjuhë edhe me dije. Ai njeri i cili nuk ka mundësi që të luftojë në mejdan që fjala e Allahut të jetë më e larta, atëherë kemi xhihadin tjetër, të cilit po ashtu nuk i pakësohet vlera e ai është xhihadi i mësimit të sheriatit ku me të ti e ngre fjalën e Allahut.

Pastaj Allahu thotë: “Të tillë janë ata të sinqertit.”
Pra këta janë ata njerëz të cilët kanë qenë në imanin e tyre të sinqertë, të cilët imanin e tyre që e kanë pas në zemër e kanë shndërruar në praktikë, e jo ata të cilët thonë me gjuhën e tyre se e besojmë, ndërsa veprat e tyre janë larg asaj që ata pretendojnë.

Dobitë e këtij ajeti:

1. Sqarimi se kush është besimtari i vërtetë.

2. Vlera e imanit dhe ngritja e shkallës së tij.

3. Kujdesi nga dyshimi dhe mos bindja.

4. Vlera e xhihadit me pasuri.

5. Vlera e xhihadit me shpirt.

6. Xhihadi i vërtetë është ai i cili është në rrugën e Allahut.

7. Nuk duhet që njeriu të mjaftojë vetëm me përmirësimin e vetes së tij, por ai duhet që t’i përmirësojë edhe të tjerët.

8. Lavdërimi i atyre të cilët i cilëson me këto cilësi të larta, duke u bazuar në fjalën e Allahut: “Të tillë janë ata të sinqertit.”