Mesazhe urimi për Fitër Bajram

Udhëheqësit e vendit urojnë besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit.

Me rastin e Festës së Fitër Bajramit, e cila sivjet po kremtohet për herë të parë në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi, kanë përgëzuar sot besimtarët myslimanë dhe Myftiun Naim Tërnava, në nderim për të gjithë ata që me agjërim kanë kaluar një muaj nën shenjën e adhurimit të Zotit, nën shenjën e mirësisë dhe të përulësisë, të sakrificës e të gjendjes pranë njëri-tjetrit.

Mesazh urimi i Presidentit Sejdiu me rastin e Bajramit të Madh

Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,
Festën e Bajramit të Madh po e kremtojmë për herë të parë në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës. Në këtë ditë feste, shprehim nderimin tonë për të gjithë ata që me agjërim kanë kaluar një muaj nën shenjën e adhurimit të Zotit, nën shenjën e mirësisë dhe të përulësisë, të sakrificës e të gjendjes pranë njëri-tjetrit.

Duke e përsëritur falënderimin tonë të gjithmonshëm për miqtë tanë, që na u gjetën në orët më të liga të historisë, ritheksojmë vendosmërinë tonë për forcimin dhe sundimin e rendit dhe të ligjit në shtetit tonë, për krijimin e një mjedisi të qetë e stabil, në mënyrë që brezave të ardhshëm t'u krijojmë kushte më të mira për jetë dhe prosperitet në atdheun tonë të shtrenjtë.

Me rastin e festës së Bajramit të Madh, Presidenti Sejdiu po ashtu ka përgëzuar edhe Kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, mr. Naim Tërnava, duke i shprehur urimet më të përzemërta, për këtë festë e cila sivjet është më e veçantë se asnjëherë më parë, meqë kremtohet në shtetin tonë të pavarur e sovran, të njohur e të bekuar nga miqtë tanë anekënd botës.

Në këtë ditë të shënuar, ne shprehim sërish vlerësimin tonë të lartë për fjalën Tuaj të urtë dhe angazhimin e përhershëm për paqe, tolerancë dhe stabilitet në Kosovë, thuhet mes tjerash në urimin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu

Përgëzimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e Fitër Bajramit

I nderuari z. Tërrnava,

Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim t'Ju uroj festën e Fitër Bajramit, Ju dhe gjithë qytetarëve të besimit islam të Kosovës.

Kjo festë kremtohet për herë të parë në Kosovën e lirë, shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Kjo është e arritura jonë e madhe, për të cilën janë përpjekur gjenerata të tëra.

Qytetarët e Kosovës gjithmonë janë shquar për vlera humane, vëllazërore dhe tolerancë ndërfetare, duke u dëshmuar si shoqëri që respekton të arriturat më të mira të civilizimit.

Në Kosovën e lirë dhe të pavarur këto vlera do të kultivohen edhe më shumë. Uniteti qytetar, harmonia, toleranca ndërfetare dhe ndëretnike është pasuri e Kosovës, garancë e perspektivës sonë të mirë.

Institucionet e Kosovës me përgjegjësinë më të lartë do të punojnë që Kosova të zhvillohet në të gjitha fushat e jetës, që sa më shpejt të bëhemi pjesë e institucioneve euroatlantike.

Kam besimin e plotë, se Ju dhe Bashkësia Islame e Kosovës, ashtu si në të kaluarën, edhe sot dhe në të ardhmen do të kontribuoni për forcimin e imazhit të Kosovës, si vend i lirë dhe demokratik.

Duke shprehur bindjen se gjatë këtyre ditëve do të shpalosen edhe më shumë mirësia, lumturia dhe dashuria njerëzore, edhe një herë urime Festa e Fitër Bajramit!

Urimi i Myftiut të Kosovës, Mr. Naim Tërnava

Të nderuar vëllezër e motra besimtarë!
Nesër është dita e parë e Fitër-Bajramit,ndaj më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të të gjitha institucioneve të saja dhe në emrin tim personal juve vëllezër besimtar tua urojë festen e Fitër-Bajramit i cili vjen si rezultat i agjërimit të muajit të bekuar të Ramazanit. Festë kjo që ngërthen ne vete rikujtimin dhe përkushtimin ndaj Krijuesit të gjithësisë, të cilin besimtarët me devocionin më të madh e shprehen gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit.

Ku na bashkuan ibadetet e namazet, iftari e syfyri, zeqati e sadakaja si dhe solidariteti, bamirësia, mirëkuptimi e përkujdesja ndaj nevojtarëve, të jemi më afër Zotit, më tolerant, më dorëlirë, më të afërt me farefisin, familjen e shoqërinë. Andaj, sot, krenar e ballëhapur e festojmë Fitër-Bajramin.
Për ne në Kosovë kjo festë, këtë vit, ka një domethënie të dyfishtë, ngase për të parën herë e presim dhe e festojmë në Kosovën e pavarur e të pranuar ndërkombëtarisht,për çka i jemi mirënjohës Zotit fuqiplotë që na mundësoi ta arrijmë këtë ditë e më pastaj u jemi mirënjohës edhe të gjithë miqve tanë që na ndihmuan ta realizojmë projektin tonë të kamotshëm për liri e sovranitet.

Të nderuar besimtarë!
Islami synon të ngrejë një shoqëri humane, në të cilën gjykon dashuria hyjnore e ngritur mbi principe të fuqishme të drejtësisë, bamirësisë dhe mëshirës, dhe assesi nuk i dëshiron njerëzimit shkatërrim dhe rrënim, por i dëshiron udhëzimin, përmirësimin dhe mirësinë.

Fitër - Bajrami, vjen si fllad i cili qetëson dhe gëzon zemrat e besimtarëve, të cilët me dinjitet e përkushtim të pashoq, kryen obligimin e Ramazanit duke iu nënshtruar Allahut fuqiplotë me tërë qenien e tyre.

Le të jetë kjo festë e Fitër - Bajramit si stimulim në përforcimin tonë ndaj ftesës së besimit, forcim i zemrave tona drejtë shkallëve të larta të devotshmërisë për të na siguruar prosperitet në këtë botë dhe shpëtim në botën tjetër. Le të jetë festa e Fitër bajramit moment i vetëdijesimit tonë, kur ne do të dimë ta respektojmë dinjitetin njerëzor.

Në këtë ditë feste ju porosis që t'i nënshtroheni vetëm Madhërisë së Allahut,përmendeni Atë vazhdimisht. Le të jetë shenja e devotshmërisë suaj përulja vetëm për Krijuesin Fuqiplotë. Nëse veproni kështu, atëherë dijeni se vërtetë e keni kuptuar rëndësinë e këtij besimi dhe i keni përmbushur kushtet e këtij besimi,andaj me të drejtë shpresoni se do të jeni më të lumturit në këtë botë dhe të shpëtuar e fitimtar në Ahiret.
Edhe njëherë urime festa e Fitër Bajramit

Komandanti i TMK-së, Sylejman Selimi, uron festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve të fesë islame.

Me rastin e Festës së Fitër Bajramit uroj Myftiun e Kosovës Naim Tërnavën dhe përmes tij të gjithë besimtarët e fesës islame. Njëherit dëshiroj që në emrin tim personal dhe në emër të të gjithë oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të Kosovës, t'i përshëndes të gjithë besimtarët e fesë islame dhe t'ju uroj që në këtë festë, të kenë sa më shumë gëzime, harmoni, mirëqenie dhe begati në shtëpitë dhe familjet e tyre.


E hënë,29 Shtator 2008 14:57