Vazhdojnë protestat në Afganistan pas djegies së kopjeve të Kuranit

Protestat antiamerikane janë duke vazhduar në shumë qytete afgane pas djegies së kopjeve të Kuranit në një bazë të forcave amerikane në Afganistan.

Së paku tre persona janë lënduar në Kabul, pasi kishte pasur të shtëna me armë zjarri jashtë bazës së ushtrisë amerikane. Për të dytën ditë me radhë protesta ka pasur edhe para bazës ajrore të NATO-s në Bagram.

Raportohet se qindra protestues afganë kanë hedhur gurë në drejtim të një stacioni të policisë së këtij qyteti.
Dy zyrtarë të lartë afganë kanë thënë se materialet religjioze, të cilat mbaheshin nga të burgosurit talibanë ishin konfiskuar nga ushtarët amerikanë, sepse dyshohej se i përdornin librat e shenjtë për t’i dërguar mesazhe sekrete njëri-tjetrit.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, ka urdhëruar fillimin e hetimeve pas lajmeve për djegien e Kuranit nga ushtarët amerikanë.