Jeni të regjistruar? Regjistrim

Keni harruar fjalëkalimin?

Keni harruar pseudonimin?

Rezultatet 1 deri 1 prej 1

Tema: Frika

  1. #1
    Grafika e En Nisa
    En Nisa nuk është i/e kyçur Anëtarë i Avancuar
    Data e Anëtarësimit
    12-11-2006
    Postimet
    2,353
    All-llahu të shpërbleftë
    5,684
    Falënderuar 3,987 herë në 1,786 Postime
    Rep Fuqia
    1372

    Frika

    Frika, është përkufizim i dhimbjes që ndjen zemra, për shkak të mendimit se do të ndodhë diçka e papëlqyeshme në të ardhmen. Shembull mund të merret rasti i një njeriu, që ka bërë krim ndaj mbretit dhe bie në duart e tij e frikësohet se do të vritet. Por, dhimbja e zemrës së tij është sipas forcës së shkaqeve që çojnë në vrasjen e tij dhe sipas nivelit të krimit, e sipas dobësisë së shkaqeve, dobësohet edhe frika. Por, frika mund të jetë jo për shkak të krimit, por për shkak të cilësive nga të cilat frikësohet. Kështu, nëse e ka të qartë njeriu, se Allahu i Lartësuar nëse shkatërron botërat nuk e ka të vështirë dhe nuk e ndalon askush, atëherë i mjafton njeriut njohja e gabimeve të tij dhe njohja e madhështisë së Allahut të Lartësuar që t`i frikësohet Atij. Dhe më i frikësuar ndër njerëzit tek Allahu, është njohësi më i mirë i vetes dhe i Zotit të tij. Prandaj, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të !) ka thënë: “Unë jam njohësi më i mirë i Allahut ndër ju dhe më i frikësuari nga Ai ndër ju.” (Transmeton Buhariu)

    Ndërsa Allahu i Lartë ka thënë :
    “Por Allahut ia kanë frikën vetëm dijetarët nga robërit e Tij.” (Fatir, 28)

    Nga frutet e frikës është që njeriu arrin të mposhtë epshet, të normalizojë kënaqësitë dhe mëkatet që janë të pëlqyera për të, ashtu siç bëhet mjalti i urryer për një njeri që e pëlqen, por mëson se ka helm. Rrjedhimi i frikës është që ajo djeg epshet, edukon gjymtyrët, nënshtron zemrën, i heq asaj mendjemadhësinë, hasedin dhe inatin. Në këtë rast, nuk i intereson më asgjë përveç vetes, prandaj thuhet që sipas forcës së frikës janë edhe vëzhgimi dhe kërkimi llogari ndaj vetvetes dhe forca e frikës varet nga niveli i njohjes së Madhështisë së Allahut dhe cilësive të Tij, si dhe nga niveli i njohjes së gabimeve të vetvetes. Dijeni se, frika është « kamzhiku » i Allahut me të cilin Ai i drejton robërit e Tij për nga këmbëngulja në dituri dhe në punët, me të cilat ata fitojnë shkallën e afërsisë tek Allahu i Lartë. Frika ka dy ekstremet e saj dhe gjendjen e mesme, e cila është më e mira, sepse frika e tepërt të çon në pesimizëm, kurse frika e paktë të çon në mendjemadhësi e moskokëçarje. Ata, tek të cilët ekziston frika, ndryshojnë midis tyre sipas llojit të frikës. Disa prej tyre frikësohen se mos i arrin vdekja para se të pendohen, disa të tjerë kanë frikë se mos i shmangen rrugës së drejtë, disa kanë frikë se mos përfundojnë keq, disa kanë frikë kalimin në urën e siratit, varrin, zjarrin dhe gjendjet e tij, kanë frikë ndaj mosshikimit të Allahut të Lartë, etj. Të gjitha këto shkaqe janë të urryera dhe frikësuese. Shkallën më të lartë e zë frika ndaj mosshikimit të Allahut të Lartë, e kjo është frika që kanë dijetarët.

    Vlera e çdo gjëje vlerësohet sipas ndihmës që jep ajo në kërkimin e lumturisë dhe lumturia është takimi i Allahut të Lartësuar si dhe afrimi tek Ai. Pra, gjithçka që ndihmon në kërkimin e kësaj lumturie është me vlerë. Allahu i Lartësuar ka thënë :
    “ E për atë që pati frikë paraqitjen para Zotit të tij, janë dy xhenete.” (Rrahman, 46)
    “Allahu i Lartësuar është i kënaqur me to, e ata janë të kënaqur me Të. Kjo është për atë që i është frikësuar Zotit të tij.” (Bejjineh, 8)
    Kurse të thuash se cila është më e vlefshme: frika apo shpresa, është njësoj si të thuash cila është më e vlefshme: buka apo uji? Dhe përgjigjja është: Buka është më e vlefshme për atë që është i uritur, kurse uji është më i vlefshëm për atë që është i etur. E, nëse bashkohen që të dyja, ato janë të barabarta për nga vlera. Shpresa dhe frika janë dy ilaçe, me të cilat mjekohen zemrat dhe vlera e tyre varet nga sëmundja ekzistuese. P.sh: nëse zemrën e zotëron siguria nga ndëshkimi i Allahut të Lartësuar atëherë frika është më e vlefshme, e nëse robin e kanë mbuluar mëkatet dhe mbizotëron tek ai humbja e shpresës dhe pesimizmi, atëherë më me vlerë në këtë rast është shpresa. E nëse vërejmë vendin e frikës e të shpresës, atëherë themi që shpresa është më e vlefshme, sepse shpresës i jepet të pijë nga deti i mëshirës, ndësa frikës i jepet të pijë nga deti i hidhërimit. Për një rob të devotshëm, më me vlerë është barazimi i frikës me shpresën, prandaj është thënë që, nëse peshohet frika e besimtarit dhe shpresa e tij, ato janë të barabarta. Një nga besimtarët e parë thoshte: “Sikur të pretendohej që do të hyjnë në xhenet të gjithë njerëzit përveç njërit, do frikësohesha se jam unë ai njeri. E, nëse do të thonin se do të hyjnë në zjarr të gjithë njerëzit përveç njërit, do shpresoja se do të isha unë ai njeri.” E, kjo duhet të jetë diçka e veçantë për besimtarin e devotshëm.

    Ummer Ibn Hatab (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) pyeste Hudhejfen: “ A jam unë nga hipokritët?” Pra, ai kishte frikë se mos ndoshta i fshihen (përbrenda) gabimet e vetes dhe nuk i dallon dot. Pra, frika e lavdëruar është ajo frikë që të çon në punë të mira dhe e shmang zemrën nga të dhënurit pas dunjasë. Ndërsa, në çastet e vdekjes më e mirë për njeriun është shpresa, sepse frika të nxit për të punuar vepra të mira, ndërsa shpresa ndaj mëshirës së Allahut, ia forcon zemrën dhe ia bën të dashur Allahun dhe kjo e fundit është shumë e rëndësishme, pasi askush nuk duhet të ndahet nga kjo dunja, pa qenë duke dashur Allahun dhe takimin me Të dhe pa menduar mirë për Zotin e tij. Frika mund të vijë në dy rrugë: p.sh: një fëmijë i vogël, të cilit i hyn në shtëpi një gjarpër, nuk ka frikë nga ai dhe ndoshta mund të zgjasë duart që të luaj me të, ndërsa po t’i ndodhë e njëjta gjë babait të tij, ai frikësohet dhe largohet nga gjarpëri. Atëherë dhe fëmija do të largohet dhe do të trembet si i ati. Pra, frika e babait të tij është nga dija që ka ai në lidhje me këtë, ndërsa frika e fëmijës nuk është nga dija e tij, por është imitimi i të atit.

    Frika nga Allahu i Lartë ka dy raste :
    1. Frika nga dënimi i Tij, e cila është frikë që i zë në përgjithësi njerëzit dhe ndodh si pasojë e besimit në xhenetin dhe xhehenemin, që janë shpërblim për të mira dhe për të këqija. Kjo lloj frike, dobësohet me dobësimin e besimit dhe forcimin e pakujdesisë. Pakujdesia mund të zhduket duke menduar për dënimin e ahiretit.
    2. Frika nga Allahu i Lartësuar, e kjo është frika e dijetarëve. Allahu i Lartësuar ka thënë :
    “Allahu u jep të frikësohen prej dënimit që vjen prej Tij.” (Ali Imran, 30)
    Janë cilësitë e Tij, i Madhëruar qoftë, që sjellin frikën. Ata i frikësohen largësisë nga Allahu dhe mosshikimit të Tij (në ahiret).
    Allahu i Lartë ka thënë :
    “Nuk ka dyshim se Unë e fal atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që përqëndrohet në rrugën e drejtë.” (Ta ha, 82)
    Nga thëniet “e frikshme” të Allahut të Madhëruar është edhe thënia : “ Pasha kohën! Vërtet njeriu është në një humbje të sigurt.” (Asr, 1-2) dhe thënia e Tij: “Sikur të kishim dëshiruar Ne, secilit njeri do t’i jepnim udhëzimin, por fjala Jonë ka marrë fund, se do ta mbush xhehenemin me xhindë e me njerëz së bashku.” (Sexhde,13)
    Transmetohet se njëri nga profetët u ankua tek Allahu i Lartësuar për urinë dhe veshjen dhe Allahu i Lartë i shpalli ajetin:
    “Robi Im! A nuk je i kënaqur që Unë mbrojta zemrën tënde prej kufrit, kurse ti më kërkon dunjanë?”Ai mori baltë, e vendosi në kokë dhe tha : “Po, jam i kënaqur, Ti më mbrojte nga kufri (mosbesimi).” Ndërsa engjëjt i frikësohen Allahut të Madhëruar në këtë mënyrë që do ta përshkruajmë:
    Allahu i Lartë duke i përshkruar engjëjt thotë :
    “I frikësohen Zotit të Tyre që është mbi ta, e i përmbahen me përpikmëri asaj me çka urdhërohen.” (Nahl, 50) Thuhet se Xhibrili shkoi tek Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) duke qarë. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e pyeti: “Përse qan o Xhibril?”Ai tha: " Nuk më janë tharë sytë që kur krijoi Allahu xhehenemin nga frika se mos bëj mëkat ndaj Tij dhe Ai më fut në të (xhehenem).”
    Jezid Rikashij ka thënë : “Vërtet Allahu ka engjëj rreth Arshit, sytë e të cilëve rrjedhin si lumenj deri ditën e Kiametit, e lëkunden sikur i lëkund era nga frika e Allahut.” E, Allahu i’u thotë atyre: “O engjëjt e Mi, ç’ju frikëson juve duke qenë pranë Meje?” Ata thonë: “O Zot, sikur ta dinin banorët e tokës atë ç’ka dimë ne nga Fuqia dhe Madhështia Jote, nuk do të gëlltisnin as ushqim e as ujë, e nuk do të shtriheshin në shtrojet e tyre, por do të dilnin në shkretëtirë duke pëllitur ashtu siç pëllasin lopët.”
    Transmetohet se kur u shfaq nga Iblisi ajo çka u shfaq, filluan të qanin Xhibrili dhe Mikaili. Atëherë, Allahu i Lartë iu shpalli atyre : “Ç’është kjo e qarë?”
    Ata thanë : “O Zot, nuk jemi të siguruar nga ndëshkimi Yt.” Allahu i Lartësuar iu tha: “Kështu të jini!” Ndërsa, në lidhje me frikën e profetëve kemi disa shembuj.
    Uehb Ibn Menbeh ka thënë : “Ademi (alejhi selam) ka qarë për xhenetin 300 vjet, e nuk e ka ngritur më kokën nga qielli, pasi ka bërë gabimin.”
    Uehb Ibn Uerd ka thënë : “Kur e qortoi Allahu, Nuhun (alejhi selam) në lidhje me djalin e tij duke i thënë : “Unë vërtet të këshilloj ty, që të mos jesh nga injorantët”(Hudë, 46), ai qau 300 vjet, sa që poshtë syve të tij, u bënë si përrenj të vegjël nga të qarët.”
    Ebu Derda ka thënë : “Kur Ibrahimi (alejhi selam) ngrihej për namaz, dëgjohej që nga larg një zukatje në gjoksin e tij, nga frika ndaj Allahut të Madhërishëm.”
    Muxhahidi ka thënë : “Kur Dauti (alejhi selam) bëri gabim, i ra në sexhde Allahut 40 ditë, derisa nga lotët e tij mbinë bimë në pjesën që e kishte mbuluar koka e tij.”
    Thuhet se Dautin (alejhi selam) e vizitonin njerëzit duke menduar se është i sëmurë, por ai s’kishte gjë tjetër përveç frikës së Allahut të Madhëruar. Isai (alejhi selam) kur kujtonte vdekjen, i pikonte lëkura gjak. Transmetohet se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “S’e kam parë kurrë Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që të qeshte aq shumë sa t’i dukeshin dhëmballët e fundit, por buzëqeshte. E kur shihte ndonjë re ose erë, ai vërehej në fytyrë dhe kjo vihej re qartë e unë i thoja: « O i Dërguar i Allahut, njerëzit kur shohin re gëzohen duke shpresuar se në to ka shi, ndërsa unë shikoj që kur ti shikon re, vërehet papëlqyeshmëri në fytyrën tënde. » Ai tha : “Oj Aishe, ç’më siguron mua që në to nuk ka dënim? Vërtet, një popull është dënuar me erë dhe vërtet e panë dënimin dhe thanë : “Kjo re do na sjellë shi.”(Ahkaf, 24)” Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur falej në barkun e tij dëgjohej një zhurmë, si gumëzhima e kazanit të ujit, nga e qara e tij.” (Hadith sahih) Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thoshte : “Ah, sikur të isha pemë!” Umer Ibn Hatabi dëgjonte një ajet dhe sëmurej për disa ditë. Një ditë mori në dorë një fije kashte nga toka dhe tha : “Ah sikur të isha unë kjo kashtë, ah sikur të mos më kishte lindur nëna ime!” E, në fytyrën e tij, viheshin re dy vijëza nga e qara. Uthmani ( ka thënë : “Pasha Allahun, s’kam parë askënd deri më sot, që t’i ngjajë shokëve të Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) Gdhiheshin me flokë të shpupurisura, e ndërmjet syve të tyre kishte disa shenja, si të kishin ecur dhitë. E kalonin natën në sexhde duke lexuar librin e Allahut të Lartë, e në mëngjes përmendnin Allahun, e lëkundeshin siç lëkunden pemët në një ditë me erë. Sytë e tyre rridhnin lot, aq sa u lageshin rrobat e tyre. Pasha Allahun, ata njerëz ishin si ta kishin kaluar natën në pakujdesi.” Alij Ibn Husejn, kur merrte abdes zverdhej dhe ndryshonte në fytyrë. I thonin : “Çfarë ke?” Ai përgjigjej : “A nuk e dini se përpara kujt duhet të dal?!” Umer Ibn Abdulaziz, njëri nga khalifët, kur përmendte Allahun, dridhej dhe qante aq sa i rridhnin lotët në faqe. Një natë, Umeri qau dhe bashkë me të edhe pjesëtarët e familjes. Kur kishte pushuar së qari, gruaja e tij Fatimja e pyeti : “O prijës i besimtarëve, pse qave?” Ai tha : “ Mu kujtua largimi i njerëzve pasi të dalin përpara Allahut, një grup në xhenet dhe një grup për në zjarr.” Pastaj bërtiti dhe i ra të fikët. Jezid Ibn Murthid qante shumë dhe thoshte : “Pasha Allahun, sikur të më premtonte Zoti im, që do të më burgosë në banjo, do të ishte e drejta ime të mos pushoja së qari. E ç’ndodh, kur Ai më premton që do të më burgosë në zjarr, nëse e kundërshtoj Atë?” Ebu Xhafer el Mensur, njëri nga khalifët, shkoi tek një murg, tek i cili kishte qenë edhe më parë Umer Ibn Abdulaziz dhe i tha : “ Më trego gjënë më të çuditshme që ke parë tek Umeri!” Ai i tha : “E kaloi njëherë natën në taracën e dhomës time, e cila ishte prej mermeri. Ndërkohë, filloi të më pikonte ujë. U ngjita lart dhe e gjeta të rënë në sexhde, e lotët i rridhnin.” Pra, kjo ishte frika e engjëjvë, e profetëve, e dijetarëve si dhe eulijave. E si i bëhet me ne, që na takon më tepër të frikësohemi? Frika nuk vjen si pasojë e volumit të mëkateve, por si pasojë e zemrës së pastër dhe dijes së zhvilluar. Ai që e sheh zemrën e tij me dritën e dijes së tij, arrin të kuptojë se ajo ka përreth shumë grabitqarë të pamëshirshëm si : zemërimi, urrejtja, hasedi, mendjemadhësia, vetëkënaqësia, syfaqësia etj, të cilat presin pakujdesinë më të vogël, që t’i vërsulen zemrës. Këto cilësi në varr, birit të Ademit i shfaqen në formën e gjarpërinjëve dhe të akrepave që e pickojnë. Prandaj, ai që do të shpëtojë prej tyre, duhet t’i luftojë e t’ua ketë frikën përpara se t’i vijë vdekja.

    Përgatiti : Erion Sula
    "Islami është si diell, atë nuk mund ta shuash me frymë; është si dita, ti duke i mbyllur sytë ndaj saj nuk mund të bësh natë, ai që i mbyll sytë vetëm për vetën e tij e ka bërë natë."

  2. Për këtë postim, ju falënderohet përdoruesi:


Tema të Ngjashme

  1. Frika dhe ikja
    By Ubejdullah in forum Këshilla të Përgjithshme
    Përgjigjet: 0
    Postimi i Fundit: 14-12-2008, 00:33
  2. Frika nga përfundimi i keq
    By Muhlis in forum Këshilla të Përgjithshme
    Përgjigjet: 0
    Postimi i Fundit: 23-11-2008, 12:08
  3. Frika nga shirku
    By Abdurrezak in forum Akide
    Përgjigjet: 0
    Postimi i Fundit: 15-10-2008, 21:57
  4. Frika apo shpresa
    By Abdurrezak in forum Këshilla të Përgjithshme
    Përgjigjet: 0
    Postimi i Fundit: 10-09-2008, 01:10

Bookmarks

Autorizimet e Postimit

  • Ju nuk mund të postoni tema të reja
  • Ju nuk mund të postoni përgjigje
  • Ju nuk mund të postoni shtojca
  • Ju nuk mund të editoni postimet tuaja
  •