Lëndimet sportive lënë pasoja

Sportistët të cilët janë lënduar gjatë marrjes me sporte të kontaktit, në jetën e mëvonshme mund të kenë probleme si pasojë e këtij lëndimi, shkruan revista "Brain".
Një studim i realizuar së fundmi ka krahasuar shëndetin e 19 ish-sportistëve të cilët ishin lënduar mesatarisht para 30 vitesh me 21 ish-sportistë tjerë të cilët nuk ishin lënduar kurrë.

Shkencëtarët kanë zbuluar se sportistët të cilit ishin lënduar së paku një herë ose dy herë gjatë kohës kur janë marrë me sport, në jetën e mëvonshme kishin treguar përqendrim të zvogëluar, humbje të kujtesës dhe ngadalësim të disa lëvizjeve, në krahasim me sportistët të cilët nuk ishin lënduar aspak.

“Ky studim tregon se ndikimi i lëndimeve sportive gjatë moshës së re, le pasoja edhe 30 vite pas lëndimit, dhe këto pasoja mund të shfaqin ndryshime në funksionet njohëse (kujtesë, mendim dhe inteligjencë) dhe funksionet motorike me plakjen e sportistëve”, thotë autori i studimit Louis de Beaumont.

Beaumont shton se duke u bazuar në këtë studim, duhet që sportistët të informohen para kohe në lidhje me pasojat e këtyre lëndimeve, me qëllim që të jenë të vetëdijshme për rreziku i cili u kanoset nëse vazhdojnë të merren me sportin të cilin e preferojnë.

Këto të dhëna janë veçanërisht të rëndësishme për sportistët të cilët merren me sporte të kontaktit, siç është boksi, futbolli amerikan, ragbi etj. /Telegrafi/