Specialistët bëjnë të ditur se në shumicën e rasteve të diagnostikuar me sinusit nuk shfaqet dhimbje koke. 97 % e rasteve të dhimbjeve të kokës lidhen me shkaqe neurologjike. Sinusiti akut zakonisht shfaqet pas një gripi apo rrufe duke shkaktuar çrregullime në sinuse dhe si rrjedhojë lindjen e çrregullimeve anatomike në hundë, sëmundjeve alergjike apo të mukozës së hundës. Secila prej këtyre sëmundjeve mund të shkaktojë sinusitin. Nëse rrufa zgjat më shumë se një javë mund të jenë shenjat e para të një sinusiti.

Sinusiti akut është një infeksion i zgjatur i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Në të kundërt të mendimit që është shumë i përhapur në shoqëri, dhimbja e kokës nuk shfaqet në shumicën e rasteve. Shenjat e sinusitit tek të rriturit janë bllokim i hundëve, sekrecione të verdha –jeshile nga hunda, dhimbje e fytyrës, dhëmbit dhe syrit, kollë e forte, mund të shoqërohet edhe me të vjella në varësi të sekrecioneve të hundës.

Sinusiti nuk është një sëmundje që duhet nënvlerësuar sepse në rast moskurimi mund të shkaktojë probleme serioze të syrit dhe trurit. Në disa raste ai mund të përfundojë dhe me vdekje. Një sinusit i pakuruar mund të shkaktojë apses të trurit apo meningjit, çrregullime në shikim etj. Si rezultat personi i sëmuri mund të verbohet ose paralizohet./Start/