Vaksinat e detyrueshme deri në moshën 14 vjeç

BLERTA MRISHAJ

Fëmijët e porsalindur e deri në 14 vjeç përfitojnë vaksinim falas.
Për të parandaluar një sërë sëmundjesh Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria shqiptare përmes hartimit të strategjisë së imunizimit ka vendosur një kalendar kombëtar dhe një skemë vaksinimi të detyrueshëm.

Kalendari

Në vendin tonë të gjitha vaksinat që janë të përfshira në kalendarin kombëtar të vaksinimit, janë falas.
Mbulesa e vaksinave për këto sëmundje është e lartë, 97% të fëmijëve sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik.
Studimet e fundit tregojnë së në vitin 2009 në zonat urbane ka pasur 95% mbulim vaksinal dhe në zonat rurale 94%.
Vendi ynë vepron përmes një skeme vaksinimi të detyrueshme kundër sëmundjeve kryesore të fëmijërisë të parandalueshme me vaksinat si difteria, tetanozi, pertusi, TBC, polio, fruthi, rubeola, parotiti, hepatiti B, Hb.
Që nga viti 2004-2005 të gjitha vaksinat bëhen me fondet e shtetit shqiptar. Në vitin 2002, Shqipëria është certifikuar nga OBSH-ja si vend pa poliomielit. Nga viti 2009 është futur vaksina pentavalente DTP-Hep B-Hib, kemi futjen edhe të vaksinës ndaj infeksioneve të shkaktuara nga Haemofillus Influenca.

Vaksina e re

Ndërkohë që për të gjithë fëmijët që kanë lindur nga 1 janari i 2009-s, ofrohet tashmë në poliklinika vaksina e re pentavalente.
Vaksina pentavalente që do të thotë 5 në 1, është e rëndësishme për fëmijët e sapolindur, pasi parandalon 5 sëmundje vetëm me një gjilpërë dhe zëvendëson 9 gjilpërat që u bëheshin më parë fëmijëve për të njëjtat sëmundje.
Vaksina do të shërbehet falas dhe sipas specialistëve, kjo vaksinë do të zëvendësojë tri vaksina të tjera, që bëheshin për bebet veç e veç.

“Kalendarit kombëtar të vaksinimit i është shtuar dhe një vaksinë e re.
Është një vaksinë që mbron nga shumë patologji të sistemit respirator, por dhe nga një patologji mjaft e rëndësishme që është meningjiti, nga ky lloj hemofilus, pra, hemofilus influence i tipit B.
Është një meningjit që ka mortalitet mjaft të lartë, i cili nëse nuk trajtohet, mbetet në një mortalitet vërtet që meriton vëmendje të veçantë edhe nëse trajtohet", - bëjnë të ditur specialistë brenda Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë që parashikohet futja e vaksinës së Hepatitit A në vitin 2012, si pasojë e ndryshimit të profilit epidemiologjik të kësaj sëmundjeje drejt adoleshentëve dhe të rinjve.
Gjithashtu është vendosur programi i vaksinimit ndaj gripit për grupet e rrezikuara të popullatës dhe rritjen e mbulimit vaksinal të këtyre grupeve në 10% çdo vit, forcimi i përpjekjeve të parandalimit të tërbimit, sigurimi i vaksinave për udhëtarët (meningokoku dhe ethet e verdha), studimi serologjik i përzgjedhur për të vlerësuar gjendjen e mbrojtjes vaksinale në kohë të ndryshme në të gjithë vendin, por dhe përmirësimi i kapaciteteve monitoruese deri në nivelin më të ulët administrativ dhe përforcimi i survejancës laboratorike dhe të bazuar në rastin e sëmundjeve të parandalueshme nga vaksinat në të gjithë prefekturat e vendit, janë të tjera synime të strategjisë së re.

Gripi sezonal, ISHP: Jemi në prag të epidemisë

Vendi ynë është në pragun vjetor të gripit sezonal, prandaj duhet bërë kujdes. Drejtori i Institutit të Shëndetit publik, Alban Ylli, ka deklaruar së gripi sezonal po shton dita-ditës numrin e personave të prekur dhe së vendi ynë rrezikohet nga përhapja e një epidemie gripale.
Për këtë Ylli u ka bërë apel qytetarëve që të bëjnë vaksinën kundër gripit sezonal si dhe të kenë nën vëmendje të tyre edhe virusin pandemik.
“Shqipëria është në pragun epidemik vjetor për gripin sezonal, prandaj duhet bërë kujdes.
U bëj apel qytetarëve që të bëjnë vaksinën kundër gripit sezonal”, - deklaroi drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë, Alban Ylli.
Shtimi i infeksioneve respiratore si dhe i personave që paraqiten në poliklinikat dhe spitalet e vendit, ka tërhequr vëmendjen e specialistëve.
Sipas tyre, ditët e fundit është vërejtur një numër i madh i personave të prekur nga të dyja gripet.
Janë specialistët ata që kësaj radhe bëjnë thirrje për kujdes të dyfishtë, si për gripin sezonal, ashtu edhe për virusin pandemik.
Për këtë ata japin edhe disa këshilla, ku më kryesoja mbetet bërja e vaksinës, e cila mund të ofrojë mbrojtje për ata që kanë probleme me zemrën.
Madje së fundmi po kërkohet të hidhet dritë mbi lidhjet midis gripit, goditjeve dhe vdekjeve për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare.
Mjekët shprehen së kjo është një arsye më shumë së përse njerëzit me sëmundje të zemrës ose me diabet (një kusht që në vetvete rrit rrezikun e sulmeve të zemrës) duhet të vaksinohen kundër gripit.
Veçanërisht, në dritën e dyfishtë të kërcënimit që vjen nga viruset këtë vit edhe gripi i ri sezonal i Australisë, i cili do të infektojë më shumë njerëz se në sezonet e gripit normal.
Bërja e vaksinës kundër gripit sezonal ka një efekt mbrojtës për zemrën e njerëzve.
Gjithashtu, vaksina zvogëlon rrezikun e vdekjes kardiovaskulare dhe disa ngjarje që dëmtojnë muskujt e zemrës.
Megjithatë, sipas specialistëve, sot vaksina e gripit ka përdorim të paktë dhe kryesisht nga kategoria e të sëmurëve kronikë (duke përfshirë edhe ata me sëmundje të zemrës).
Në vendin tonë vaksinimi për virusin A/H1N1 dhe gripin sezonal mund të realizohet në çdo qendër shëndetësore, ku çdo njeri do të vaksinohet në qendrat shëndetësore që do të furnizohen nga Institutit i Shëndetit Publik./Gazeta Standard/