Vlera e namazit të natës

Falënderimi i takon Allahut që e bëri namazin pushim për besimtarët, përshëndetjet qofshin mbi të dërguarin, mësuesin e njerëzimit, Muhamedin salaAllahu alejhi ue selem.

Allahu i Madhërishëm e zbriti mesazhin hyjnor si lidhjen e vetme tokë-qiell për të gjithë njerëzimin, ndërsa namazin e natës e bëri lumturi të vazhdueshme të njerëzve të mirë, tregti të besimtarëve të devotshëm, të cilët natën vetmohen me Zotin e tyre, i drejtohen krijuesit të tyre, i paraqesin ankesat dhe kërkojnë prej mirësisë së Tij, shpirtrat (trupat) e tyre qëndrojnë para Krijuesit të gjithësisë, kërkojnë mëshirën e Tij dhe shpëtimin nga zjarri i xhehenemit. Allahu i Lartmadhëruar thotë në librin e Tij fisnik: “Ata ishin të cilët flinin pak natën. Dhe ne syfyr (nga mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkatet.” Dharijat 17-18.

Hasan Basriu thotë: Janë për qëllim ata që qëndrojnë natën dhe e zgjasin namazin deri në syfyr, pastaj ulen bëjnë dua dhe kërkojnë falje. Të njëjtin mendim e mbështet edhe Taberiu.

Muhamed b. Nasr el-Merueziu Allahu e mëshiroftë na përcjell e ky nga Enesi, se ky ajet ka zbritur për ata që janë falur mes akshamit dhe jacisë. Sahabët që falnin namaz mes akshamit dhe jacisë ishin: Ibën Mesudi, Ibën Amri, Selman Farisiu, Ibën Omeri etj.

Ndërsa Ibën Xheriri thotë: Allahu i ka lavdëruar dhe e ka cilësuar punën e tyre të palodhshme, duke mos fjetur dhe duke u afruar tek Allahu dhe që ishte i kënaqur me veprën e tyre. Katadja dhe Muxhahidi e komentojnë këtë ajet, duke thënë se kjo do të thotë se gjatë gjithë natës deri në agim nuk flinin, por e kalonin në ibadet.

Ibën Abasi në lidhje me këtë ka thënë: “U kalonte gjithë nata, duke mos i mbyllur sytë fare”.

Imam Buhariu në kapitullin “Mbi veçoritë e namazit të natës” thekson zinxhirin e transmetuesve të hadithit, në fund të cilit ndodhet Abdullah b. Omeri, e ku thuhet: “Gjatë kohës së Pejgamberit salallahu alejhi ue selem ishte një njeri, i cili sa herë që shikonte një ëndërr, ia tregonte Pejgamberit të Allahut, ndaj dhe unë kisha dëshirë që të shihja ëndrra dhe t’ia tregoja Pejgamberit të Allahut.
Një herë në kohën e Pejgamberit kur isha fëmijë m’u shfaqën në ëndërr dy engjëj, të cilët më dërguan afër zjarrit, i cili m’u duk sikur ishte i murosur si një pus dhe se kishte dy shtylla. Në te pashë disa njerëz që i njihja më para, ndaj në moment fillova të them: ‘I mbështetem Allahut nga zjarri’, ndërsa një engjëll më tha “Mos u trishto”. Ëndrrën ia tregova Hafsës, kurse Hafsa ia tregoi Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, që i tha: ‘Sa njeri i mirë është Abdullahu, vetëm sikur të ngrihet natën e të falet’. Pas këtyre fjalëve ai flinte vetëm një pjesë të shkurtër të natës.

Ebu Hurejra radiaAllahu anhu na përcjell, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Agjërimi më i vlefshëm pas Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut, Muharrem, ndërsa namazi më i vlefshëm pas farzeve është namazi i natës”. Muslimi

Namazi i natës tek gjeneratat e para

Një njeri i ka thënë Ibrahim Ed’hemit se nuk kam mundësi të fal namaz nate, më trego ilaçin që të kem mundësi të falem. Ai iu përgjigj: Mos bëj gjynah ditën, që të kesh mundësi të ngrihesh natën, sepse namazi i natës ka vlerë tek Allahu e Allahu nuk ia jep këtë vlerë mëkatarit.

Një nga njerëzit e devotshëm, Hasan b. Salih e shiti robëreshën e tij tek një person. Kur erdhi nata ajo i thërriti anëtarët e familjes të zotërisë së ri: “namazi i natës, namazi i natës”, por asnjë nuk u zgjua deri në namazin e sabahut. Të nesërmen ajo shkoi tek zotëria i parë, Hasani e i tha: Më ke shitur tek një familje e keqe, se ata falin vetëm farzet, kthemë prapë tek ti, dhe ai e ktheu robëreshën.

Shtrohet pyetja sikur të ishte gjallë kjo robëreshë e të shikonte gjendjen e muslimanëve sot, sigurisht që nuk do të kishte thirrur për namaz nate, por do të mjaftonte për te vetëm falja e namazit të sabahut në kohën e vet?!

Abdullahu, i biri i Ahmed b. Hanbelit i tha babait të vet, kur e pa duke falur namaz nate: “Shumë gjatë, o baba, kur pushon?” Ai iu përgjigj kështu: e ngriti dorën lart pastaj e vendosi në kofshë e tha: “Kur të hyjë kjo në xhenet, atëherë do të pushoj.”

Namazi i teravive

Muaji i Ramazanit karakterizohet me një adhurim të veçantë dhe ai është namazi i teravive, që falet pas namazit të jacisë. Dijetari Ibën Rexhepi thotë: Besimtarit në muajin e Ramazanit i mblidhen dy xhihade të trupit: e para: xhihadi gjatë ditës me agjërim, e dyta: xhihadi natën me namaz nate – teravi, tek ai njeri që mblidhen këto dy xhihade do të ketë shpërblim që nuk mund të llogaritet.

Nga Ebu Hurejra përcillet se Pejgamberi salaAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush i kalon netët e Ramazanit duke bërë ibadet me besim të plotë dhe duke shpresuar në shpërblimin e tij, do t’i falen të gjitha mëkatet e tij të mëparshme”. Buhariu, Muslimi.

Imam Neveviu thotë: Me fjalët netët e ramazanit ka si qëllim namazin e teravive.

Muhamed b. Uthejmini thotë: Nga ky hadith kuptojmë: namazi i natës në Ramazan përfshin namazin në fillim të natës si dhe në mbarim, nga kjo del në pah se namazi i teravive është namaz nate dhe ne duhet të kujdesemi ndaj këtij namazi, duke shpresuar shpërblim tek Allahu, se janë ditë të caktuara dhe besimtari i çiltër e shfrytëzon këtë adhurim para se t’i kalojë.

Nga Aishja, radijallahu anha, përcillet se njerëzit faleshin në xhaminë e Pejgamberit në netët e ramazanit veçan. Ai që dinte diçka nga Kurani faleshin mbrapa tij pesë apo gjashtë vetë, më pak apo më shumë. Një natë mbasi e fali jacinë Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, doli në xhami dhe ua fali namazin e teravive më gjatë dhe të nesërmen po bisedojnë njerëzit për namazin e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, dhe ja të nesërmen u mbush xhamia përsëri si dhe natën e parë.
Në natën e katërt u mblodh një xhemat më i madh dhe po prisnin Pejgamberin salaAllahu alejhi ue selem, ky e pyeti Aishen, se pse janë mbledhur? Ajo iu përgjigj: O i Dërguar i Allahut, kanë biseduar njerëzit për namazin tënd, që ua ke falur; atë natë ai nuk doli në xhami, por e fali namazin në shtëpinë e vet. Të nesërmen iu tha shokëve të vet: O ju njerëz, vallahi nuk kam fjetur, por unë nuk kam qenë i pakujdesshëm edhe për pozitën tuaj tek unë, por u frikësova, se mos po iu bëhet farz namazi i natës e nuk keni mundësi t’i përmbaheni”. Buhariu, Muslimi.

Imam Zuhriu thotë: Vazhduan njerëzit në këtë gjendje duke u falur grupe-grupe derisa ndërroi jetë i Dërguari i Allahut, po edhe në kohën e Ebu Bekrit dhe në fillim të kohës së Omerit, i cili pastaj i bashkoi me një imam, Ubej b. Ka’bin.

Albani thotë: Ky hadith është i qartë në argumentimin e ligjshëm, se namazi i teravive është falur me xhemat, siç veproi i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, tri net radhazi, dhe kjo nuk mund të kundërshtohet me faktin se ai, salallahu alejhi ue selem, nuk e fali me xhemat në natën e katërt, sepse arsyeja ishte e qartë: “u frikësova se mos po ju bëhet farz”, nuk ka dyshim se kjo frikë u eliminua më vonë dhe për këtë arsye Omeri b. Hatabi e ngjalli këtë sunet, ky është edhe mendimi i shumicës së dijetarëve.

Pejgamberi salaAllahu alejhi ue selem thotë: “Njeriu –namazliu, i cili falet me imam deri në fund i shkruhet sikur të jetë falur tërë natën”.

Muhamed b. Uthejmini thotë: Nuk duhet të largohet nga namazi derisa ta përfundojë imami namazin e teravive, si dhe vitrin, që ta arrijë vlerën apo shpërblimin e namazit të natës.

Gjithashtu thotë: lejohet prania e femrave – grave në namazin e teravive në xhami, nëse nuk ka fitne – provokime të ndryshme, mirëpo duhet të mbulohen e mos të vijnë në xhami gjysmë lakuriq, apo të zbukuruara, apo të parfumuara, si dhe mos t’i ngrisin zërat, duhet të dalin prej xhamisë menjëherë pas selamit e mos të përzihen me burra, ashtu siç bëhej në kohën e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, siç na tregon Umu Seleme që mbasi ka dhënë selam i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ‘ne gratë jemi ngritur menjëherë, ndërsa ai vonohej pak’. Allahu e di më së miri, por mund të themi se vonimi i Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, bëhej me qëllim që grave t’u jepte mundësi të dalin dhe të mos përzihen burra e gra.

Përgatiti: Bashkim BAJRAMI
Publikuar në albislam