Sateliti i Marsit u krijua nga një shpërthim katastrofik

Shkencëtarët thonë që kanë zbuluar prova të forta që sateliti më i madh i Marsit,Phobos, përbëhet nga shkëmbinj të mëdhenj të cilët u shkëputën nga Marsi pas një shpërthimi katastrofik.
Origjina e satelitëve të marsit, Phobos dhe Deimos ka qenë mister për një kohë të gjatë.

Më parë është menduar që të dy satelitët mund të kishin qenë asteroid të formuar në rripat e asteroidëve, për tu tërhequr pastaj nga forca e gravitacionale e Marsit.

Provat e fundit u prezantuan në një konferencë në Romë. Punimet e reja nxorën në pah skenarë të tjerë. Materialet e hedhura në erë nga sipërfaqja e Marsit, mund të jenë mbledhur së bashku për të formuar satelitin më të madh të tij.

Pra, Phobos-i mund të jetë formuar me mbeturinat e një tjetër sateliti të mëparshëm të shkatërruar nga forcat e gravitetit të Marsit, ose, ky satelit mundet që vetë ta ketë origjinën nga sipërfaqja e Marsit.

Të dhënat e fundit nga Agjencia Evropiane e Hapësirës bëjnë që hipoteza e kapjes së një asteroidi nga forca gravitacionale e Marsit të jetë më pak e besueshme.